Presidenti i FSHF-së, Armand Duka mori pjesë në Konferencën Kombëtare “Arritjet dhe Sfidat e Sportit në Shqipëri”, që u zhvillua nën organizimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

 

Aktivitetit të zhvilluar sot në Pallatin e Kongreseve të Tiranës i parapriu edhe Panairi i Vlerave të Sportit, ku FSHF prezantoi në pavijonin e saj historikun dhe arritjet kryesore të futbollit në Shqipëri ndër vite e u shumë të rinj e të reja u informuan për aktivitetet që organizon Federata e Futbollit dhe investimet e mëdha në infrastrukturë.

 

Në fjalën e mbajtur gjatë konferencës Presidenti Duka tha se sporti shqiptar përballet sot me shumë sfida, ku në majë qëndron synimi për krijimin e kulturës sportive. Duke iu referuar studimeve në Shqipëri vetëm 3-4% e popullsisë ushtron sport në diferencë nga Bashkimi Europian ku mesatarja është 40%, shifra këto alarmante që kërkojnë ndërhyrje dhe veprime konkrete.

 

Më tej, numri një i qeverisë së futbollit bëri një pasqyrë të transformimit të futbollit pas viteve 90-të, sidomos në aspektin organizativ dhe duke rritur ndjeshëm numrin e kompeticioneve kombëtare krahasuar me tre dekada më parë.

 

“Sot që flasim, organizohen 23 gara kombëtare për djem, 3 gara kombëtare për vajza, kampionate Rajonale për djem e vajza si dhe kompeticione kombëtare për futbollin amator 5×5, 6×6 dhe 9×9 ku në total luajnë 22 mijë futbollistë profesionist, gjysmë profesionist dhe amator. Futbolli i vajzave është gjithashtu një hapësirë e rëndësishme në futbollin tonë, një prioritet i madh i Federatës. Edhe pse ka pak më shumë se një dekadë që ka nisur, numëron 2 mijë vajza që luajnë futboll në të gjithë vendin dhe falë projekteve e nismave që kemi ndërmarrë synojmë dyfishimin brenda dy viteve të ardhshme. Çdo fundjavë 1140 ekipe futbolli djemsh dhe vajzash të të gjitha niveleve luajnë futboll në gjithë territorin e vendit. Mbi 650 zyrtarë janë të angazhuar në mbarëvajtjen e ndeshjeve të futbollit. Mbi 100 mijë njerëz të përfshirë direkt krijojnë një ekonomi futbolli, që konsumon dhe kontribuon në ekonominë shqiptare”, – theksoi Presidenti Duka, i cili gjithashtu përmendi edhe punën e madhe që është bërë në drejtim të edukimit dhe formimit të profesionistëve të futbollit përmes kurseve të nivelit ndërkombëtar e me licenca që njihen në të gjithë botën për trajnerë, përgatitës atletik, trajnerë portierësh, skaut, drejtor dhe administrator sportiv, video-analistë, mjekë e fizioterapistë sportivë.

 

Gjithashtu, Presidenti i FSHF-së u ndal te investimet në infrastrukturë, teksa përmendi ndërtimin e veprave madhore si stadiumet “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi”, “Kukës Arenan”, “Air Albania Stadium”, kompleksin modern Shtëpia e Futbollit apo edhe shumë fusha të ndërtuara në të gjithë vendin.

 

“Fale kësaj pune, UEFA na ka besuar organizimin e shumë aktiviteteve ndërkombëtare. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve, u shërbejmë të rinjve, për ti afruar akoma më shumë me sportin tonë, përmirësojmë eksperiencën tonë organizative dhe shërbejmë gjithashtu si promotor turistik të vendit tonë. Vetëm në katër vitet e fundit kemi organizuar dhe po vazhdojmë të organizojmë 30 aktivitete ndërkombëtare për djem dhe vajza duke mirëpritur në Shqipëri më shumë se 3 mijë futbollistë e zyrtarë që kanë qëndruar mesatarisht 8 ditë në zonën tonë bregdetare. Qershia mbi tortë e këtyre organizimeve, ishte finalja e madhe historike e UEFA Conference League që e ktheu Tiranën dhe Shqipërinë në epiqendër të futbollit botëror me 155 shtete në të gjithë botën që e transmetuan këtë finale duke i bërë vendit tonë reklamën më mbresëlënëse të kryer ndonjëherë. Mijëra tifozë, gazetarë, figura legjendare futbolli, sponsor, njerëz nga bota e financës dhe menaxhimit, patën mundësi të kalonin orë fantastike në Tiranë duke gjetur një mikpritje dhe një organizim perfekt”, – u shpreh ndër të tjera ai.