Agjencia e Prokurimit Publik (APP) jep disa rekomandime për autoritetet kontraktore për modifikimin e kontratave apo marrëveshjeve.

 

Sipas APP-së, rekomandimet bëhen me qëllim zbatimin e kuadrit ligjor për prokurimin publik.

 

APP rekomandon kompanitë se modifikimi i kontratave apo marrëveshjeve kuadër gjatë kohëzgjatjes së tyre bëhet vetëm në rastet e parashikuara në nenin 127 të ligjit “Për prokurimin publik”, kur autoriteti ose enti kontraktor mund të argumentojë se ndodhet në njërin nga rastet e përcaktuara në këtë nen.

 

“Në rastin kur, modifikimi i kontratës bazohet në pikën 1, shkronjat “b” dhe “c”, të nenit 127, të LPP, autoriteti ose enti kontraktor, pasi ka modifikuar kontratën apo marrëveshjen kuadër, në përputhje me parashikimet ligjore duhet të pasqyrojë modifikimin e bërë në Sistemin e Prokurimit Elektronik, dhe të dërgojë për publikim në Buletinin e Njoftimeve Publike, një njoftim për modifikimin e kontratës/marrëveshjes kuadër gjatë kohëzgjatjes së saj. Njoftimi për publikim dërgohet në APP brenda 10 ditëve, nga data në të cilën ka përfunduar modifikimi i kontratës/marrëveshjes kuadër fillestare. Njoftimi për modifikimin e kontratës/marrëveshjes kuadër gjatë zbatimit të saj bëhet sipas formularit/ shtojcës me këtë emërtim që gjendet në dokumentet standarde të tenderit. Autoriteti ose enti kontraktor duhet të përcaktojë në këtë formular situatën sipas parashikimeve të nenit 127 pika 1, shkronjat “b” dhe “c”, të LPP, duke evidentuar bazën ligjore dhe argumentet përkatëse mbi të cilat është kryer modifikimi. Në çdo rast arsyet dhe argumentimet për modifikimin e kontratës ose të marrëveshjes kuadër duhet të dokumentohen nga autoriteti ose enti kontraktor, para kryerjes së modifikimit dhe të bëhen pjesë e dosjes së zbatimit të kontratës”, thuhet në dokumentin e APP.

 

Kontrata publike apo marrëveshja kuadër mund të modifikohet pa zhvilluar një procedurë të re prokurimi në rastet e mëposhtme:

a) kur modifikimet, pavarësisht vlerës së tyre monetare, janë pasqyruar në mënyrë të saktë dhe të qartë në kontratën fillestare, sikurse janë klauzolat e rishikimit të çmimit, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi. Të tilla klauzola duhet të deklarojnë qëllimin dhe natyrën e modifikimeve apo opsioneve të mundshme, si dhe kushtet me anë të të cilave mund të përdoren, por me kusht që ato nuk mund të sjellin ndryshime të natyrës së kontratës apo të marrëveshjes kuadër.

b) për furnizimin e mallrave, shërbimeve apo kryerjen e punëve në një kontratë që është ende në zbatim nga kontraktori fillestar, që nuk mbulohen nga kontrata fillestare, të cilat janë bërë të domosdoshme prej rrethanave të paparashikuara dhe kur zëvendësimi i kontraktorit fillestar:

i. nuk është i mundur për arsye ekonomike apo teknike, sikurse janë kërkesat për zëvendësimin apo ndërveprimin me pajisjen, shërbimet apo instalimet ekzistuese, të prokuruara gjatë procedurës fillestare;

ii. do të shkaktonte vështirësi të mëdha apo rritje të konsiderueshme të kostove për autoritetin kontraktor.

c) kur modifikimi është bërë i nevojshëm për shkak të rrethanave të paparashikueshme nga autoriteti kontraktor dhe që nuk ndryshojnë në thelb natyrën e kontratës publike apo të marrëveshjes kuadër.

ç) kur kontraktori fillestar është zëvendësuar nga një operator ekonomik i ri, i cili përmbush të gjitha kërkesat fillestare të përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit të procedurës së zhvilluar dhe që është pasuesi i ligjshëm i kontraktuesit fillestar si rrjedhojë e ristrukturimit të kompanisë, përfshirë marrjen e pronësisë, ndarjen apo bashkimin e shoqërisë apo falimentimin, me kusht që nuk sjell ndryshime të tjera thelbësore në kontratë dhe nuk ka për synim shmangien e këtij ligji.