Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar Bordin e Transparencës për karburantet duke e konsideruar si të papajtueshëm me Kushtetutën, pasi më herët shfuqizoi edhe Bordin e Ushqimeve.
Bordi i Karburanteve u krijua me akt normativ të qeverisë më 12 Mars 2022 për të mbajtur nën kontroll çmimet e karburanteve të ndikuara nga lufta në Ukrainë, por gjykata Kushtetuese arsyeton se ka pranuar pjesërisht kërkesën e jo më pak se një të pestës të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe më konkretisht ka shfuqizuar nenin 21/10, pika 2, fjalia e dytë, nr. 39/2022 ” Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, date 24.02.1999 “Per përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë
Në këtë nen përcaktohet kohëzgjatja dhe zbatimi i Bordit te Transparencës. Në pikën 2, fjalia e dyte e ketij neni thotë se:
“Përfundimi i situatës së veçantë dhe i zbatimit të parashikimeve të këtij kreu përcaktohet me vendim të Bordit”, gjë e cila me vendimin e Gjykatës Kushtetuese hidhet poshtë
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji Per organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Të njëjtin fat pati dhe Bordi i Ushqimeve, të cilin Gjykata Kushtetuese me kërkesë të grupit parlamentar të PD, e shfuqizoi në muajin shkurt, pasi e vlerësoi si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
I “pagëzuar” si Bordi i Transparencës, bordi për naftën, benzinën dhe gazin u ngrit nga qeveria në mars të vitit të kaluar pas inflacionit që shkaktoi lufta Rusi-Ukrainë.
Qëllimi ishte për të shmangur abuzimet, por vazhdimisht është vënë në dyshim formula se si përcaktohej çmimi.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese shqyrtoi në seancë plenare publike kërkesën e jo më pak se një të pestës të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë . Shfuqizimi i ligjit nr. 42/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 8, datë 25.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë .
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “c” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe nenin 49, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
VENDOSI:
1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.
2. Shfuqizimin e nenit 21/10, pika 2, fjalia e dytë, të ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Çfarë përmban ky nen:
1. Parashikimet e këtij kreu zbatohen për aq kohë sa zgjat periudha e situatës së veçantë.
2. Zbatimi i parashikimeve të këtij kreu fillon me shpalljen e situatës së veçantë me vendim të
Këshillit të Ministrave. Përfundimi i situatës së veçantë dhe i zbatimit të parashikimeve të këtij
kreu përcaktohet me vendim të Bordit.
3. Në çdo rast, ky kre nuk përjashton aplikimin e legjislacionit në fuqi për parandalimin dhe
luftimin e sëmundjeve infektive apo akteve të tjera ligjore, për aq kohë sa nuk janë në
kundërshtim me dispozitat e këtij kreu.