Muslimanët që vijnë në Kuds nga pjesët tjera të Palestinës, por edhe ata që vijnë nga e gjithë bota, takohen në sofrat tradicionale të iftarit në Mesxhid al-Aksa për të cilat thonë se klima shpirtërore e ditëve të Ramazanit është unike këtu.
Mijëra muslimanë palestinezë dhe të huaj e realizojnë muajin e Ramazanit, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi i të cilit është bollëku dhe fundi i të cilit është falja, duke agjëruar dhe falur çdo mbrëmje në kiblën e parë të Islamit, Mesxhid al-Aksa.
Shumë muslimanë kalojnë kohën rreth Kupolës së Shkëmbit, një nga simbolet më të njohura të Aksa-s, duke lexuar Kur'an dhe duke u falur gjatë gjithë ditës.
Përveç atyre që vizitojnë Kudsin nga vende të largëta për të qenë në Aksa gjatë Ramazanit, mijëra arabë me nënshtetësi izraelite vijnë në qytetin e shenjtë me autobusë nga qytete të ndryshme.
Përderisa njerëzit e Kudsit dynden në Aksa me thasë me ushqime dhe shporta për të shtruar tryezën e tyre, disa minuta para iftarit, shumë të rinj vullnetarë që punojnë në Harem-i Sherif shpërndajnë ujë dhe ushqim për muslimanët që nuk janë të përgatitur për iftar.
Ndërsa pjesa e brendshme dhe rrethinat e xhamisë Kibla në Xhaminë al-Aksa janë të rezervuara për iftare masive, oborri dhe kopshtet e xhamisë së shenjtë janë të mbushura me tryeza iftaresh të familjeve palestineze dhe mysafirëve të huaj.
Ushqimi tradicional i rajonit, “maklube”, është gjëja e domosdoshme për shumicën e familjeve
Një nga shijet tradicionale që preferohet shpesh për ditët e Ramazanit dhe ngjarjet e veçanta në vendet e Levantit si Siria, Iraku, Palestina dhe Jordania, meklube është ndër gjërat e domosdoshme në tryezat e iftarit në Harem-i Sherif.
Fjala arabe "maklube" do të thotë "i përmbysur". Vakti i cili përgatitet në një tenxhere të thellë me mish ose pulë dhe përbërës të ndryshëm si oriz, patëllxhan, patate dhe karrota, zbrazet në një tepsi të madhe tavoline duke e mbyllur me kokë poshtë.
Familjet palestineze rreth Kupolës së Shkëmbit, e cila tërheq vëmendjen me kupolën e saj të artë në Mesxhid al-Aksa, vijnë në namazin e akshamit me tenxheret e tyre me maklube që përgatitën në shtëpi.
"Atmosfera e Ramazanit në Mesxhid al-Aksa është magjepsëse"
Umm Nureddin Rejebi, nga Kudsi solli një maklube me vete në Xhaminë al-Aksa me familjen e tij dhe mysafirët nga qyteti i pushtuar i Khalilit në Bregun Perëndimor.
Duke folur për Anadolu, 63-vjeçarja Rejebi tha: "Atmosfera e Ramazanit në Mesxhid al-Aksa është magjepsëse. Nuk mund të shprehet me fjalë. Unë jetoj për Aksa-në. Ne e presim këtë moment çdo vit dhe vijmë këtu. Ne do të hapim iftarin tonë këtu me makluben që kemi përgatitur së bashku me mysafirët tanë nga Khalili".
Ajo gjithashtu u shpreh se Xhamia al-Aksa është unike dhe u jep jetë njerëzve. "Njerëzit mblidhen këtu, tregojnë dashuri për njëri-tjetrin dhe mirëpritje", shtoi ajo.
Ata kalojnë nga të paktën 4 postblloqe izraelite për të arritur në Aksa
Për shkak të barrierave strikte të Izraelit, shumica e palestinezëve që jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar nuk janë në gjendje të arrijnë në Kuds, të cilin normalisht do ta arrinin në më pak se një orë nga shumë qytete, dhe janë të privuar nga atmosfera e Ramazanit në Mesxhid al-Aksa.
Izraeli lejon vetëm gratë, fëmijët e vegjël dhe burrat e moshuar të palestinezëve që jetojnë në Bregun Perëndimor të hyjnë në Kudsin Lindor të pushtuar për të ardhur në xhaminë Al-Aksa.
Forcat izraelite, të cilat kërkojnë leje speciale për burrat palestinezë midis moshës 45 dhe 55 vjeç, nuk lejojnë hyrjen për adoleshentët dhe burrat e rritur.
Inas Helavi, një grua e re palestineze nga Khalili, pas një udhëtimi rraskapitës drejt Xhamisë Al-Aksa, tregoi se pritën me orë të tëra në radhë të gjata në postblloqe për të ardhur në Aksa.
"Në kundërshtim me pretendimet që Izraeli përhap në mediat sociale se lehtëson hyrjet, ne kurrë nuk e shohim një lehtësi të tillë. Ne kalojmë të paktën katër postblloqe për të arritur këtu. Forcat izraelite shfaqin një qëndrim poshtërues. Ata në mënyrë arbitrare lejojnë kë të duan dhe refuzojnë ata që nuk duan", tha Helavi.
Duke theksuar se ata nuk do të heqin dorë nga ardhja në Mesxhid al-Aksa pavarësisht nga të gjitha sprovat, Helavi tha: "Ne do të vazhdojmë të vijmë këtu pavarësisht gjendjes së agjërimit në Ramazan dhe lodhjes që kemi për të arritur në Mesxhid el-Aksa, sepse është e nevojshme dhe është detyra jonë të jemi këtu"./AA