N/kryetari i grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi reagoi sot për çmimet e referencës së pronave.

 

Ai u shpreh se, “PD është kundër taksimit që shton barrën fiskale të familjeve dhe bizneseve”.

 

“Nëse po mendoni të blini një apartament në Tiranë, në varësi të zonës do tu duhet të paguani nga 5 deri në 76 përqind më shumë. Nëse aktualisht keni një apartament apo biznes në Tiranë po kaq do të rritet edhe taksa e përvitshme që do paguani. Kjo ndodh sepse janë rritur çmimet e referencës me vendim qeverie, botuar tashmë në fletoren zyrtare për 32 zonat kadastrale të Tiranës”, tha Boçi.

 

Sipas tij, “rritja e çmimeve fiskale do të sjellë automatikisht rritje të pagesës vjetore të taksës së apartamenteve, të njësive tregtare dhe ndërtesave të tjera, pasi taksa llogaritet mbi vlerën e shtëpisë apo të dyqanit. Për të dyja kategoritë pushteti vendor e llogarit vlerën e ndërtesës mbi çmimet e referencës.

 

A”jo që bie në sy në këtë rritje ekstreme është fakti se zonat që dikur njiheshin si të lira, si Unaza e Re, Fabrika e Miellit, ish-Fusha e Aviacionit, Yzberisht etj do t’i kushtojnë qytetarit 76% më shumë ose 450 euro për metër katror”, theksoi Boçi.

 

“Këto zona për një kohë të gjatë kanë qenë të preferuara për familjet e reja apo ata që vinin nga rrethet me mundësi modeste financiare. Pas këtij vendimi qëndrojnë interesat oligarkike në ndërtim, sepse pas kësaj rritjeje vetëm ndërtuesit e mëdhenj do të mund të investojnë. Të dëmtuarit e mëdhenj janë qytetarët shqiptarë dhe ndërtuesit e vegjël”, nënvizoi Boçi.

 

“Ky vendim i Edi Ramës dhe ndërtuesve në paradhomën e tij nuk prek vetëm ata që do të blejnë nga sot e tutje, por edhe ata që kanë një shtëpi apo biznes aktualisht. Edhe atyre, pra cdo qytetari do t’u rritet barra e takes.

 

Bizneset do preken edhe më shumë, deri në 91 përqind, sepse formula e llogaritjes së vlerës së taksës së ndërtesës llogaritet sa dyfishi i çmimit fiskal për metër katror të apartamenteve. Kësaj nuk do i shpëtojnë as parkimet e mbyllura dhe bodrumet do që të rriten nga 2 deri në 78% për 32 zonat kadastrale të Tiranës”, u shpreh ai.

 

Po ashtu, vijoi Boçi, “rritje ka edhe për pronarët e fabrikave prodhuese, depove magazinave dhe atyre të parkimeve të hapura”.

 

“Partia Demokratike është kundër këtij taksimi që shton barrën fiskale të familjeve dhe bizneseve. Këto taksa janë një ekzekutim i mundësisë për kursim të familjeve shqiptare, shkollim të fëmijëve dhe një tjetër shtysë drejt falimentit për mijëra biznese të vogla. Me ardhjen tonë në drejtimin e vendit ne do t’i ulim të gjitha këto taksa dhe e cilësojmë rritjen e tyre një masë çnjerëzore të qeverisë Rama”, përfundoi Boçi.