Në kuadër të fushatës elektorale, Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku zhvilloi një takim me pensionistët në Dibër.

 

Gjatë takimit ajo bëri të ditur se në muajin shtator pensionistët do të marrin bonusin e dytë prej 50 mijë lekësh, para këto, që janë siguruar nga taksa e jashtëzakonshme e energjisë.

 

“Gjatë vitit të kaluar ne kemi indeksuar pensionin me 9.5%, pavarësisht se gjithë inflacioni u konsiderua jo më shumë se 7%, Qeveria Shqiptare mori vendimin që pensioni juaj të indeksohej me 9.5%. Do ketë një indeksim të ri të pensionit në fund të muajit shtator të këtij viti, në bazë të inflacionit që do ketë viti në vazhdim. Në fillim të vitit të kaluar ne deklaruam që të ardhurat e shtuara nga prodhimi i energjisë për disa subjekte private që fituan për shkak të luftës më shumë, të gjitha ato të ardhura që shteti do të mblidhte do ti jepeshin pensionistëve.

Pastaj nëse ju kujtohet patëm dhe vizitën e Presidentes së Komisionit Europian këtu në Shqipëri, Ursula von der Leyen e cila tha të njëjtën gjë, që të gjithë vendet e Bashkimit Europian duhet të vjelin taksën e jashtëzakonshme nga të ardhurat e papritura për shkak të luftës dhe t’ja shpërndajnë grupeve në nevojë.Qeveria Shqiptare vendosi që grupi në nevojë padyshim janë pensionistët, 650 mijë pensionistë. Për këtë arsye të ardhurat që kemi mbledhur, 4.1 miliardë lekë që janë mbledhur gjatë muajit mars nga taksa e jashtëzakonshme e energjisë, është vendosur nga Qeveria Shqiptare që ti shpërndahen pensionistëve në formën e një bonusi me 5 mijë lekë. Kështu që të gjithë ata që e kanë marrë pensionin, unë nuk e di nëse keni rritur të gjithë ta merrni, besoj që e dini që keni marrë 5 mijë lekë shtesë që kanë ardhur nga taksa e jashtëzakonshme. Dhe do merrni këstin e dytë, pasi kësti i dytë i kësaj takse që ka të njëjtën vlerë, e kemi ndarë në dy pjesë, gjatë vitit për gjashtë mujorin e parë në fund të marsin dhe më pas në shtator. Në shtator përveç indeksimit që do të ndodhë për shkak të inflacionit në pensionin tuaj do të merrni edhe pjesën tjetër të bonusit, edhe një 5 mijë lekësh tjetër shtesë që vjen sërish nga pjesa e dytë e taksimit të jashtëzakonshëm”-tha Balluku.