Partia Demokratike vijoi sot aksionin për të mos lejuar zhvillimin normal të seancës parlamentare, ashtu siç e kishte paralajmëruar dhe një ditë më parë.
Deputetët e PD të përjashtuar nga Kuvendi, për shkak të dhunës së ushtruar në seancën e shkuar, u përplasën sot me punonjësit e Gardës, që nuk lejuan hyrjen e tyre në sallën e seancave plenare.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë demokratike, Gazment Bardhi deklaroi në një prononcim për mediet se, “besoj se cilido që di të lexojë shqip, përjashtimi deputetëve të Kuvendit, 24 deputetëve me masën përkatëse nuk parashikohet në rrethanat që njeh Rregullorja e Kuvendit”.
Pra, shtoi Bardhi, “praktikisht njësoj siç deputetët e burgosur të opozitës janë burgosur pa ligj, edhe deputetët e dënuar janë dënuar pa ligj, sepse ky është një regjim që nuk njeh ligj dhe Kushtetutë, dhe këtë po e tregon edhe me agresivitetin dhe luftën që po bën me deputetët e opozitës, me opozitën në tërësi me qytetarët e ndershëm të këtij vendi, që kanë vendosur t’i qëndrojnë përballë regjimit të Edi Ramës. Karriget janë mjet pune, deputeti ka detyrim të dëmshpërblejë dëmin”.
I pyetur si do të vijojë aksioni, Bardhi u shpreh se, “ne do të vazhdojmë si të na teket. Rast pas rasti do të veprojmë në raport me këtë godinë, me kryeministrinë dhe çdo godinë tjetër ku strehohet krimi dhe qëllohet ndaj atyre që luftojnë krimin. Nuk ka patur asnjëherë marrëveshje me Edi Ramën. E kemi detyruar të na njohë ato të drejta dhe kushte që kishte vendosur opozita në kuadër të aksionit që ndërmorëm”.
Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvend vendosi dje përjashtimin me 60 ditë nga Kuvendi për kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe deputetët e PD, Flamur Noka dhe Bledion Nallbati.
Sekretariati vendosi të përjashtojë me 40 ditë 20 deputetë: Saimir Korreshi, Lefter Gështenja, Luan Baçi, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho dhe Dashnor Sula. Ndërsa deputeti Edi Paloka u përjashtuar me 10 ditë./ata