Revista gjermane 'Die Aktuelle' pretendon se ka arritur një "ekskluzive", e cila në realitet nuk ishte asgjë më shumë se trillim. Agjencia Reuters tregon se familja e Michael Schumacher dëshiron të padisë revistën gjermane që publikoi një "intervistë ekskluzive" me ish-pilotin gjerman, të kryer duke përdorur Inteligjencën Artificiale.

 

“Die Aktuelle” publikoi atë që e quajti “intervistën e parë” me Schumacher që kur pësoi aksidentin në dhjetor 2013, teksa bënte ski në Alpet franceze. Ish-kampioni i botës që atëherë nuk është parë publikisht, pasi bashkëshortja e tij, Corinna, insiston që ta mbrojë nga publiku në vilën familjare në Zvicër, duke mos ditur me siguri se në çfarë gjendje fizike ndodhet ish-piloti 54 vjeçar. Teksti i revistës fillon duke thënë: "Fol një herë me të. Pyete si ka qenë. Dhe më në fund kemi përgjigjet, 10 vjet pas aksidentit tragjik. Asnjë fjalë nga miqtë. Përgjigje nga ai! Nga Michael Schumacher! Ja ku është, intervista e pabesueshme! Me përgjigje shpenguese për pyetjet djegëse që të gjithë kanë bërë për kaq shumë kohë."

Në fund të shkrimit pranohet se deklaratat janë në fakt të rreme dhe se gazetarët e revistës nuk kanë folur me Schumacher dhe as me askënd në familje. "Michael Schumacher tha vërtet diçka për veten e tij? Intervista ishte online. Në një faqe që ka të bëjë me Inteligjencën Artificiale", mund të lexohet në të.

 

Revista tashmë është akuzuar për "mungesë të mirësjelljes" nga tifozët e Formula 1 dhe specialisti gjerman i komunikimit, Boris Rosenkranz tha se "kjo është shumë marrëzi për të qenë e vërtetë". 'Die Aktuelle' ishte tashmë në syrin e familjes së shtatë herë kampionit të botës kur shkruanin në vitin 2015, se Corinna Schumacher kishte "një dashuri të re" që e bëri të lumtur. Në proces u kërkua dëmshpërblim prej 50 mijë eurosh, i cili nuk u pagua asnjëherë pasi revista fitoi procesin gjyqësor.