Mijëra muslimanë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë u janë drejtuar xhamive dhe shesheve për të marrë pjesë në lutjet dhe faljen e namazit të Fitër Bajramit.
Besimtarë të shumtë janë mbledhur së bashku në xhamitë në kryeqytetet Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, por edhe në qytete të tjera të këtyre vendeve për të falur namazin e Fitër e Bajramit, një nga festat më të mëdha të fesë islame.
Maqedoni e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut, manifestimi qendror u mbajt në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup, ku për shkak të numrit të madh të besimtarëve të pranishëm, përveç hapësirës së brendshme të xhamisë, u mbush me besimtarë edhe oborri i xhamisë.
Në programin e organizuar nga ana e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, para namazit u kënduan ilahi në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake, si dhe u bënë lutje.
Fjalimin e Hutbes së Bajramit e mbajti kreu i BFI-së, Shaqir Fetahi, ku përcolli porosi të paqes, duke uruar shëndet dhe lumturi për mbarë njerëzimin.
Në deklaratën për gazetarët pas namazit të Bajramit, Fetahi tha se kjo ditë është dita e ngadhnjimit të besimtarit me veprat e tij gjatë Muajit të Ramazanit.
Fetahi në hutben e Fitër Bajramit foli edhe për migrimin e të rinjve.
"Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut, duke e kuptuar situatën e përgjithshme jo vetëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut por në gjithë territorin e Ballkanit dhe më gjerë dhe duke e parë krizën ekonomike, të gjithë ne jemi të vetëdijshëm dhe kërkohet nga të gjithë ne të mundohemi maksimalisht me fjalët tona, me porositë tona, me mundin tonë që bashkërisht të formojmë kushte të nivelit stabil ekonomik me qëllim që njerëzit tanë, populli ynë i kësaj shoqërie të gjejë ardhmërinë në trojet ku ka lindur dhe ku është rritur", u shpreh ai, duke shtuar se përpjekjet e tyre janë maksimale aty ku i kanë kompetencat.
Shqipëri
Në Shqipëri, programi qendror për faljen e namazit të Fitër Bajramit u mbajt në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve.
Pjesë e ceremonisë qendrore në kryeqytetin e Shqipërisë ishin edhe leximi i Kuranit, ligjërata dhe hutbeja.
Besimtarë të shumtë janë mbledhur së bashku edhe në xhamitë e tjera të kryeqytetit dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë.
Kosovë
Ndërkaq, në Kosovë, ceremonia kryesore është mbajtur në Xhaminë e Madhe të Prishtinës “Sulltan Mehmet Fatih”.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, pasi uroi besimtarët për këtë festë në mesazhin e festës, bëri thirrje për unitet.
Tërnava tha se Fitër Bajrami është festa më popullore të cilën e presin të gjitha grupmoshat.
“Në këtë mëngjes të bukur, ballëhapur e krenarë, jemi mbledhur në xhamitë tona anekënd vendit për të festuar Fitër Bajramin me namaz e lutje, festë e cila bart në vete gëzimin, harenë, lumturinë e çiltërsinë në shpirtin dhe zemrën e besimtarit. Të gjithë besimtarët gjithandej globit me plot arsye sot festojnë, urojnë e gëzojnë sepse një muaj me bindje e përkushtim kanë zbatuar urdhërin e Krijuesit të Gjithësisë”, theksoi Tërnava.
Tërnava tha se “agjërimi për besimtarin është sakrificë që bëhet vetëm për Krijuesin”.
“Andaj sot çdo besimtare dhe besimtar, i ri dhe i moshuar, ndihet i gëzuar dhe ka arsye që të festojë me ibadet në xhami me gëzim në familje, farefis e shoqëri. Tërë muajin Ramazan agjëruam, ibadet ky që kërkon sakrificë dhe përmbajtje, por mbi të gjitha bindje e besim. Në Ramazan na bashkoi agjërimi, namazi, lutja, sofra e iftarit dhe bereqeti i syfyrit. Qemë bashkë në solidaritet e mirësi, prandaj sot kemi arsye të jemi bashkë në festën e Fitër Bajramit, festë kjo që përjetohet nga të gjitha shtresat e shoqërisë”, theksoi Tërnava.
Mesazhe urimi dërguan edhe qytetarët pas faljes së namazit të Fitër Bajramit. Ata bënë thirrje që njerëzit të jetojnë në paqe dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin.
Kjo festë pason muajin e Ramazanit, i cili filloi më 23 mars dhe u përmbyll më 20 prill. Traditë e festës së Fitër Bajramit janë vizitat nëpër familje të gjerë mes të afërmve dhe miqve./AA