Mijëra besimtarë u mblodhën këtë të premte në sheshin “Skënderbej” për të kremtuar Fitër Bajramin.
I mbushur plot me besimtarë që falen për festën e Bajramit, sheshi Skënderbej tërhoqi edhe vëmendjen e medias britanike BBC, e cila ka cilësuar një foto gjatë momentit të faljes së besimtarëve në Tiranë, si një ndër 12 fotografitë më të veçanta në këtë festë shumë të rëndësishme për myslimanët.
“Sheshi Skënderbej në Tiranë, Shqipëri tërhoqi mijëra besimtarë”, shkruan BBC krah fotos së publikuar.
Në 12 fotot e tjera, BBC ka përzgjedhur momentet më të bukura të festimit të kësaj feste, nga vende të ndryshme të botës, duke filluar nga Afganistani, Palestina e deri në Serbi dhe Australi.
Fitër Bajrami shënon fillimin e një feste që zgjat 3 ditë ku besimtarët myslimanë shkëmbejnë vizita me familjarët dhe miqtë. Fitër Bajrami festohet pas muajit të Ramazanit.