Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho ka akuzuar qeverinë se po përpiqet që të vendosë nën kontroll kërkimin shkencor.
Duke iu referuar projektligjit të ri për “Shkencën dhe Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë”, nënkryetarja e Partisë së Lirisë shkroi sot në rrjetet sociale se po cenohet liria akademike dhe autonomia e institucioneve të arsimit të lartë.
Sipas Xhixhos, qeveria ka shkelur hapur nenin 3 të ligjit për arsimin e lartë, ndërsa bie në kundërshtim me nenin 58 të Kushtetutës për lirinë akademike.
“Projektligji ka mbirë papritur në tryezat e Kuvendit, pa një konsultim paraprak me stafet akademike, sepse qëllimi nuk është aspak mbështetja e kërkimit shkencor. Projektligji i ri u heq kompetencat profesorëve dhe departamenteve, duke e kthyer shkencën në monopol të qeverisë”, u shpreh Xhixho.
Sipas saj, me nenin 10 të projektigjit të ri krijohet Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor, i përbërë nga 19 anëtarë, ku 16 janë nga qeveria dhe vetëm 3 nga universitetet dhe komuniteti shkencor, që ka për qëllim t’i japë qeverisë monopolin e shkencës. “Vendimmarrja për financimin e punimeve shkencore do të varet gjithashtu nga Rama”, shkruan Xhixho.
Në përmbyllje të reagimit të saj Xhixho bën thirrje që të ndalohet miratimi i këtij projektligji dhe t’i hapet rrugë një diskutimi të gjerë ku duhet detyrimisht të përfshihen stafet akademike, departamentet dhe vetë kërkuesit shkencorë./ata