Drejtori i spitalit të Elbasanit, Agron Gaxha thotë për Report Tv se 34-vjecarja që humbi jetën pasi kishte kryer abort e mori trajtimin e nevojshëm mjekësor në spital. Gaxha shprehet se janë në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore për të mësuar shkaqet e humbjes së jetës.

 

 

“Pacientja ka marrë trajtimin e nevojshëm në spital. Nuk mund të shprehemi për shkaqet e humbjes së jetës pa dalë ekspertiza mjeko-ligjore. Jemi ende në pritje të shkresës”, tha Gaxha për Report Tv.34-vjecarja humbi jetën vetëm 6 orë pasi kishte kryer abort më 30 janar 2023. Etleva Çullhaj, ishte paraqitur rreth orës 12:00 për të kryer një abort e më pas ishte larguar për në banesë. Por pas disa orësh të së njëjtës ditë, gjendja e saj shëndetësore ishte përkeqësuar dhe ishte transportuar sërish në Maternitetin e Elbasanit, ku dhe ndërroi jetë.

 

Për këtë rast, oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan kanë nisur hetimin për dy mjekët të cilët asistuan në procedurën e abortit konkretisht, mjekut gjinekolog Arben Paralloi 56 vjeç dhe Behar Gjevori 60 vjeç, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.

 

Sipas mediave, burime zyrtare nga Prokuroria e Elbasanit bëjnë me dije se gruaja ka qenë e detyruar të kryej abort, pasi foshnjës në bark i kishte ndalur zemra. 34-vjeçarja ishte nënë e 2 fëmijëve dhe po priste fëmijën e tretë. Ajo banonte në lagjen “5 Maji” të Elbasanit, dhe rrinte me qira në Elbasan pasi ishte me origjinë nga Tirana.

 

Ndërkohë bashkëshorti i viktimës vuan dënimin në një nga burgjet e Greqisë.