Kryeministri, njëherësh kreu i PS-së Edi Rama deklaroi sot nga Kamza se “nëse ia jepni votën Rakip Sulit dhe 4 vite të tjera do bëjmë për Kamzën katër herë më shumë se këto 4 vjet”.

 

Në vijim të rrugëtimit të gjelbër drejt zgjedhjeve të 14 majit, Rama tha në fjalën e tij se “falënderim për mbështetjen tuaj në momentin e ndërhyrjes sime për të hequr apendisitin, erdhi në një moment kur kemi një apendisit më të rëndësishëm për të hequr, që është apendisit me 2 koka, emrat e të cilëve nuk po i përmend që të mos e prishim kënaqësinë e kësaj feste të gjelbër”.

 

“Duke luftuar me mjekët dhe stafin tim për të dalë nga kafazi, ata kanë të drejtën e tyre, më në fund iu mora një takim jashtë zyre dhe shtëpie dhe midis të gjitha opsioneve iu thashë do shkoj te Rakip Suli në Kamzë sepse këtu është pasqyra më kuptimplotë e fjalës Rilindje. Dhe mendova që do marr unë pak nga Rilindja juaj dhe e Kamzës që të heqim apendisitin e 14 majit”, tha Rama.

 

Rama u ka kthyer përgjigje të gjithëve për kritikat ndaj këngës së fushatës, që është tallava.

 

“Sikur të ishin nga njerëz që dëgjojnë Beethoven do ua falja, po janë ata që dëgjojnë çdo ditë Saliun dhe Ilirin. Se ata që dëgjojnë Beethoven nuk mërziten me tallavanë se janë njerëz të lirë dhe kur njeriu është i lirë dhe nuk pranon diktaturat e shijeve i pëlqejnë të gjitha këngët”, tha Rama.