Që kur u prezantua për herë të parë në Sallonin e Automobilëve në Paris, në vitin 1948, Citroën 2CV pati sukses të menjëhershëm. Arsyet ishin 4: thjeshtësia ekstreme, çmimi shumë ekonomik, dizajni ndryshe dhe aftësia për të ecur në terrene të vështira.

 

Tashmë, një makinë e tillë, me vetëm 932 kilometra të përshkuara, ka dalë në shitje nga Andreas Wüest AG, që zakonisht shet makina luksoze. Bëhet fjalë për një makinë të prodhuar në vitin 1990, që është edhe viti i fundit i prodhimit të Citroën 2CV. Me shumë mundësi, pronari i saj e ka blerë vetëm për koleksion dhe në fakt e ka pëdorur jashtëzakonisht shumë pak.

 

Por, mund të ketë qenë edhe një makinë që është përdorur për një farë kohe dhe më pas pronari e ka rikonstruktuar tërësisht. Në fakt, një Citroën 2CV mund të ribëhet fund e krye, nga bulloni i parë e deri te i fundit, falë disa qendrave të specializuara që shesin absolutisht të gjitha pjesët. Edhe pse pjesët nuk janë të shtrenjta si ato të makinave luksoze, ai që dëshiron ta rindërtojë makinën tërësisht, duhet të shpenzojë rreth 40 000 euro, duke përfshirë montimin dhe lyerjen.

 

Që do të thotë se një Citroën 2CV, me dy kuaj fuqi, mund të kushtojë sa një Ferrari Mondial T, që ka plot 300 kuaj fuqi.

 

Shitësi nuk ka bërë publik çmim, por me siguri që të paktë janë ata që mund ta përballojnë një makinë koleksioni të tillë.