Intervista e krijuar përmes Inteligjencës Artificiale me ish-kampionin e botës në Formula 1, Michael Schumacher ka çuar në largimin e kryeredaktorit të revistës gjermane, “Die Aktüelle”.

 

Disa ditë më parë kjo revistë publikoi një ballinë me titullin kryesor “Michael Schumacher, intervista e parë”.

 

 

Artikulli ishte prodhuar duke përdorur një program të Inteligjencës Artificiale të quajtur charatcter.ai, i cili gjeneroi artificialisht ‘citate’ të Schumacher për shëndetin dhe familjen e tij.

 

“Unë me ndihmën e ekipit tim mund të qëndroj vetëm dhe madje të hedh disa hapa. Gruaja dhe fëmijët e mi ishin një bekim për mua dhe pa ta nuk do t’ia kisha dalë. Natyrisht edhe ata janë shumë të trishtuar.

 

 

Ata më mbështesin dhe po qëndrojnë fort në anën time”, ishin disa nga citimet.

 

Menjëherë, fansat dhe ekspertët e komunikimit e dënuan artikullin, duke e cilësuar atë si të turpshëm. Nga ana tjetër, familja e ish-pilotit gjerman të Formula 1, Michael Schumacher po përgatitet të ndërmarrë veprime ligjore kundër revistës “Die Aktüelle”.

 

 

Shumë pak dihet nga gjendja shëndetësore e Michael Schumacher që kur në dhjetor të vitit 2013 pësoi një aksident me ski dhe u fut në koma të induktuar. Që atë ditë, gjermani nuk është shfaqur më në publik.

 

Ish-piloti i Ferrarit, i cili ka fituar 7 tituj kampion në F1, vijon të mbetet nën kujdesin e një ekipi mjekësor dhe gruas së tij Corinna, në shtëpinë e tij në Gjenevë.