Kryeministri, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama çeli sot fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit në Elbasan.

 

Rama prezantoi kandidatin e PS-së në Elbasan, kryetarin aktual të bashkisë, Gledian Llatja, ndërsa u ndal te transformimi i madh që ka ndodhur në këtë bashki.

 

Kryeministri veçoi kantierin e ndërtimit të automotoparkun, i cili do t’i japë zhvillim ekonomik qytetit, por edhe Shqipërisë së Mesme.

 

“Kantier jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë, Shqipërinë e 2030-ës, për rritjen me kuaj fuqi të ekonomisë sonë, për krijimin e një platforme komplet të re mundësish  ekonomike e punësimi për të çelur një hapësirë këtu në Shqipëri që është një hapësirë unike në Ballkan, ku do të hapet rruga për aktivitete të mëdha ndërkombëtare në fushën e automotosportit dhe eventeve të mëdha muzikore etj”, tha Rama.

 

Duke folur për veprat e mëdha në infrastrukturë, Rama theksoi se fjalët i merr era ndërsa veprat mbeten.

 

“Besoj ju kujtohet që kur filluam të ndërtojmë stadiumin e ri në Tiranë se sa shumë fjalë kemi dëgjuar dhe sa sa shumë gjëra të rënda na kanë thënë. Dhe e patë te ai stadium kur u hap gropa në të cilën ra foltorja brenda para pak ditësh u tha që ishte stadiumi i lirisë”, tha ai.

 

Ashtu sikurse, vijoi ai, “askush nuk e ka imagjinuar se në Shqipëri do të sillnim një finale të Kupave të Europës dhe e sollëm”.

 

Rama premtoi se “brenda vitit 2030, do sjellim grand finalen e Formula 1”. “Kulmin e një industrie komplet të re dhe komplet tjetër të sportit që lidhet me një mijë gjëra të tjera dhe të gjitha lidhen me ekonominë. Nuk është fjala për një garë më 1 miliard shikues dhe që sjell këtu 100 mijë njerëz, është fjala për një industri të tërë garash ndërkombëtare”, tha ai.