Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha sot gjatë një prononcimi për mediet nga Korça, se Policia e Shtetit do të monitorojë çdo person që ka përfituar nga amnistia.
Sipas tij, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve po harton një regjistër të plotë të personave përfitues nga amnistia penale, me qëllim monitorimin e tyre. I pyetur për rastin e personit, i cili u arrestua pak orë pasi doli nga qelia si rezultat i amnistisë, Balla tha se kushdo që shkel ligjin do të përballet me drejtësinë.
“Personi që ju i referoheni, ka qenë një person i dënuar për vjedhje dhe pasi u lirua nuk i ka rezistuar tundimit. Por, Policia e Korçës ka vepruar me shpejtësi dhe e ka identifikuar dhe arrestuar personin në fjalë”, tha Balla.
“Në këtë aspekt, dua të ndaj me ju, mbi të gjitha me publikun, e t’i kujtoja atyre që kanë përfituar nga amnistia, që është në të mirën e tyre, që dorën e ngrohtë të shoqërisë përmes amnistisë, mos ta marrin si dobësi, por si mesazh për t’iu rikthyer jetës normale, larg çdo forme të veprave penale. Policia në komunikim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, po administron të gjithë emrat e përfituesve nga amnistia. Po ashtu do të kemi monitorim 1 për 1, të secilit prej tyre, për të parandaluar përfshirjen e tyre në veprat penale, dhe nëse e bëjnë, sërish do kthehen aty ku meritojnë dhe do të përballen me ligjin”, tha Balla./ata