Në Kodin e ri Rrugor janë bërë një sërë ndryshimesh me qëllim rritjen e sigurisë në kabinë, për fëmijët.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPRRTSH), drejtuesve të mjeteve me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kodin Rrugor, iu ndalohet ulja e fëmijëve në sediljen e parë, edhe nëse mbajnë rrip sigurimi, nëse gjatësia e tyre nuk i kalon 1.50 metra. Ndërsa lejohen fëmijët të sigurohen në sediljen e parë, kur kjo mundësohet me sisteme të posaçme fiksuese, të homologuara, vetëm me fytyrë mbrapsht, me Airbag të çaktivizuar.
Në nenin 170, pika 4 përcaktohet se fëmijët deri në moshën 3 vjeç duhet të udhëtojnë të siguruar me sisteme të përshtatshme fiksuese të homologuara, të përshtatshme për peshën e tyre, në vendet e pasme të mjetit. Ata mund të udhëtojnë në vendet e përparme të mjeteve të kategorive M1, N1, N2 dhe N3, të siguruar me sisteme të përshtatshme fiksuese, me fytyre prapa, vetëm kur jastëkët e ajrit janë të çaktivizuar.
Sistemet fiksuese të fëmijëve duhet të instalohen në mjet në përputhje me udhëzimet e dhëna nga prodhuesi.
Cilido, që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit për fëmijë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga 5000 (pesë mijë) deri në 15.000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë. Kur shkelja i takon një fëmije në moshë jomadhore, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit ose, kur ndodhet në çastin e kryerjes së shkeljes, mbi atë që është ngarkuar me mbikëqyrjen e këtij fëmije.
Në rast se është drejtuesi i mjetit, përveç masës administrative të ndëshkimit me gjobë, merret edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj.