Ish-kryeministri Sali Berisha mbajti këtë të hënë një deklaratë për media ku u ndal te fushata zgjedhore e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

 

Berisha në fjalën e tij theksoi se ka përmbyllur turin në të gjitha bashkitë në jug të vendit, të cilin e cilësoi si turin më të suksesshëm që ka pasur ndonjëherë.

 

“Mbrëmë mbylla turin në të gjitha bashkitë e jugut dhe mund t’u them se ai ishte turi më i suksesshëm që unë kam pasur ndonjëherë në jugun e vendit.

 

 

Qytetarët në Tepelenë, Memaliaj, Këlcyrë, Përmet, Sarandë, Konispol, Delvinë, Libohovë, Derviçan, Dropull, me një padurim, me një kthjelltësi dhe vendosmëri, po presin 14 majin për të firmosur ndryshimin. Për të firmosur shpëtimin e bashkive të tyre dhe të Shqipërisë nga kthetrat e zeza të mafies qeveritare.

 

Kudo që shkova, gjeta qytetarë të revoltuar, gjeta qytetarë të cilët nuk përmbanin ndjenjat gjer në urrejtje ndaj qeverisë dhe shtetit të mafies.

 

Kudo të shkova, gjeta reagime të fuqishme ndaj plaçkitjes së pasurive publike të banorëve të këtyre bashkive.

 

Një kontrast i madh ekzistonte dhe kishte elektrizuar klimën elektorale, kontrasti midis kandidatëve të primareve, të votës së lirë dhe dinjitetit, dhe kandidatëve të mafies, të bodrumeve të Edi Ramës, për të cilët në mënyrë absolute, asnjë socialist i vetëm, asnjë qytetar i paparti, nuk ishte pyetur.

 

Skandalet e kandidatëve të emëruar nga Edi Rama, aferat e tyre të zeza, nxinin në Tepelenë, Memaliaj, Përmet, Sarandë, Delvinë, Konispol, Derviçan, Libohovë.

 

Misioni i tyre ishte plaçkitja e pasurive publike”, tha Berisha.