Për të ndihmuar Shqipërinë të përmirësojë qëndrueshmërinë e saj klimatike, të diversifikojë burimet energjetike dhe të rrisë burimet e pastra dhe të përballueshme të energjisë, IFC-ja po ofron një paketë financimi prej 41 milionë euro për Karavasta Solar sh.p.k. duke mbështetur kështu parkun më të madh fotovoltaik diellor në vend.

 

Financimi i IFC-së përfshin një hua të tipit A deri në 29 milionë euro dhe një hua të tipit B1 deri në 12 milionë euro, e cila është pjesë e një pakete më të gjerë financimi që përfshin një kredi deri në 58 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

 

Voltalia – një zhvillues dhe ofrues shërbimesh në fushën e energjisë së rinovueshme në shkallë globale – ka themeluar Karavasta Solar sh.p.k., një shoqëri e krijuar për zhvillimin, ndërtimin dhe funksionimin e Parkut të Parë Fotovoltaik diellor (PFV) në shkallë të gjerë në Shqipëri.

 

PFV-ja do t’i japë përparësi sigurimit të qëndrueshmërisë klimatike duke bërë të mundur furnizimin me energji elektrike edhe në kushtet e reshjeve të çrregullta, si dhe duke instaluar panelet në sipërfaqe më të larta për t’i mbrojtur ato nga përmbytjet. Financimi i përshtatjes klimatike i ofruar nga IFC-ja do të diversifikojë burimet e energjisë së rinovueshme të Shqipërisë, duke kontribuuar në fuqizimin e sektorit të energjisë.

 

Financimi i IFC-së do të mundësojë zhvillimin e një PFV-je prej 140 megavat, dhe të një linje ajrore transmetimi 19 kilometra të vendosura në bashkinë e Fierit. Pas vënies në punë, PFV-ja pritet të gjenerojë mbi 265 gigavat orë energji elektrike në vit, shoqëruar me reduktime të emetimit të gazeve serrë prej rreth 96,500 ton CO2 ekuivalente në vit duke mbështetur kështu synimet klimatike të Shqipërisë.

 

Projekti i Karavastasë do të mundësojë një strategji hibride komercializimi, që përbën një risi. Kjo përfshin shitjen e 50% të prodhimit të energjisë tek një shoqëri shtetërore me një çmim fiks, dhe shitjen e pjesës tjetër me çmimet e tregut, të kombinuar me një instrument mbrojtjeje të çmimit të energjisë për të shmangur paqëndrueshmërinë e çmimeve.

 

“Ne jemi shumë të kënaqur që po financojmë Karavasta Solar sh.p.k. dhe që po kontribuojmë në krijimin e një ndikimi transformues në matricën e burimeve të energjisë së Shqipërisë,” tha Ary Naïm, Menaxher Rajonal i IFC-së për Evropën Qëndrore dhe Juglindore. “Ky investim tregon sesi me politika të mira, vendet e Ballkanit Perëndimor mund të tërheqin më së miri investime të reja private dhe të ofrojnë shërbime më të mira dhe më të qëndrueshme infrastrukturore, pa u mbështetur vetëm në burimet fiskale dhe njerëzore të qeverisë.”

 

IFC-ja është institucioni më i madh financiar zhvillimor që mbështet sektorin privat në tregjet në zhvillim, duke investuar drejtpërdrejt si dhe në partneritet me institucione financiare në sektorët inteligjent ndaj klimës (climate-smart). Ky projekt nxjerr në pah rolin kyç të IFC-së në hartimin e axhendës së energjisë së rinovueshme të vendit në përputhje me qasjen strategjike të IFC-së ndaj ndryshimeve klimatike.