Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi iu përgjigj interesit të medieve në lidhje me 2 kërkesa të ardhura nga PD për propozimin e anëtarëve të KZAZ-ve për zgjedhjet e 14 majit.

Celibashi pranoi se ka 2 propozime për anëtarë të KZAZ-ve, nga Indrit Sefa i cili është përfaqësues i Partisë Demokratike në KQZ, kemi dhe një propozim për anëtarë të KZAZ-ve të sjellë në KQZ nga Flamur Noka firmosur prej tij në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së.

Celibashi, theksoi se KQZ do marrë vendimmarrje në përputhje me ligjin.

“Formalisht kemi dy kërkesa dhe formalisht Komisioneri do të duhet të bëjë vlerësimin e legjitimitetit të secilës prej dy kërkesave. Në fakt, do ta bëjmë. Jemi në proces të verifikimit të dokumentacionit mbi propozimet për anëtarë të KZAZ-ve, jo vetëm të PD por edhe të partive të tjera që kanë të drejtën të propozojnë për anëtarë të KZAZ-ve. Është një procedurë që KQZ e ka bërë dhe për rastin konkret e njëjta procedurë do të ndiqet por ka të shtuar edhe këtë si aspekt vlerësues se kush është ai, i cili ligjërisht ka të drejtën të paraqesë propozimin për anëtarë të KZAZ-ve. Ne do të vendosim për këtë, por është ky realitet dhe realisht më vjen keq që gjendemi në këtë situatë. Vendimmarrja do jetë në përputhje me ligjin”, tha ai.

Në lidhje me pyetjen se Indrit Sefa i cili është përfaqësues i Partisë Demokratike në KQZ e ka apo jo legjitimitetin, Celibashi u shpreh se Indrit Sefa e ka autorizimin prej kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, prej zgjedhjeve të pjesshme të marsit të vitit të kaluar. Pra nuk ka autorizim tjetër veç këtij autorizimi për Indrit Sefën.

Për sa i përket pyetjes në lidhje me vlefshmërinë e mandatit, Celibashi tha se mandati i zotit Indrit Sefa është i vlefshëm në kuptimin e përfaqësimit të Partisë Demokratike si parti parlamentare.

“Pasi mandatet e përfaqësuesve të partive parlamentare janë të vlefshme për sa kohë ato nuk shfuqizohen. Nuk është si rasti i partive të tjera që kanë përfaqësues në KQZ vetëm në periudhën zgjedhore. Ai ka një autorizim deri ditën që shfuqizohet”, tha ai.

Në lidhje me vendimin e Gjykatës së Tiranës që njeh Sali Berishën, Celibashi tha se kjo pyetje e merr përgjigjen në momentin kur do të duhet të vendosë për regjistrimin e PD-së si subjekt zgjedhor.

“Jam njohur edhe publikisht me vendimin e Gjykatës së Tiranës, do jetë edhe ai vendim pjesë e vlerësimit nga ana ime. Nuk dua ta fsheh, pak a shumë e mendoj se si do jetë, por në fund do jetë KQZ që do vendosë. Do ishte mirë që ta zgjidhnin me njëri-tjetrin, unë jam i fundit që vendos”, tha ai./ATSH