Zëvendëskryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Dhomën e Deputetëve të Italisë.
Në takimin me Presidentin e Komisionit të Transporteve, Postës dhe Telekomunikacioneve, Salvatore Deidda, u diskutua mbi marrëdhëniet historike e aktuale mes dy vendeve si dhe mundesinë e intensifikimit të tyre, për modernizimin e infrastrukturës.
Gjatë takimit me Presidentin e Komisionit të Çështjeve Europiane, Alessandro Giglio Vignia, u diskutua mbi mbështetjen e fuqishme që Italia do të vijojë t’i japë Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, si e vetmja alternativë e vendit tonë, i cili refuzon çdo plan alternativ në çdo kontekst historik apo të së ardhmes.
Gjatë takimit me Grupin e Miqësisë me Kuvendin e Shqipërisë, i kryesuar nga deputeti arbëresh, Arnaldo Lomuti, së bashku me deputetët Piero Fassino, Salvatore Caiata, Giorgio Loveto, Patty l’Abate, u diskutua mbi rritjen e mbështetjes për qytetarët shqiptarë që punojnë, studiojnë e jetojnë në Itali, shtimin e hapësirave dedikuar atyre në masmedia dhe si Rai në Gjuhën Shqipe, nxitjen e nënshkrimit të marrëveshjes së pensioneve, mundësinë e hapjes së shkollave italiane të profileve të ndryshme në Shqiperi, nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në fushën e turizmit, mjedisit etj./ata