Ministrja suedeze për çështjet e BE-së Jessika Roswall viziton Shqipërinë nga data 2 deri 3 maj, gjatë Presidencës suedeze të Këshillit të Bashkimit Evropian, bëri të ditur në një njoftim për shtyp Ambasada e Suedisë në Tiranë.

 

Roswall viziton vendin tonë, si në cilësinë e Presidencës së BE-së ashtu edhe në cilësinë kombëtare si ministre për Çështjet e BE-së.

 

Gjatë vizitës së saj ajo do të takohet me shoqërinë civile dhe organizatat e medias, ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, përfaqësues të parlamentit Jorida Tabaku dhe Etilda Gjonaj, ministre e shtetit dhe kryenegociatoren e BE-së Majlinda Dhuka dhe ambasadoren e BE-së Christiane Hohmann.

 

“Suedia mbështet plotësisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Vendimi i BE-së për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë është një moment historik në marrëdhëniet tona. Është një njohje e punës së vështirë dhe të vendosur të bërë nga qeveria juaj dhe nga populli i Shqipërisë”, thuhet në njoftimin për shtyp të ambasadës së Suedisë në Tiranë.