Shërbimi i Kardiologjisë në Spitalin Qendror në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me kushtet e reja, garanton cilësinë më të mirë të shërbimit për qytetarët.

 

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale përshtypjet e mjekëve dhe infermierëve për këtë shërbim.

 

Rama theksoi se, Shërbimi i Kardiologjisë, me aparatura të fjalës së fundit të teknologjisë, me kushte e standarde optimale, ka nisur funksionimin në spitalin e ri ultramodern të sëmundjeve të brendshme në QSUT, mes befasisë së pacientëve dhe entuziazmit të ekipeve mjekësore.

 

Prof. Dr.Artan Godo tha se, “spitali i ri ofron lehtësi dhe komoditet. Tani ka 3 salla të reja, një prej të cilave është sallë hibride ku mund të bëhen ndërhyrje kirurgjikale dhe perkutane nëpërmjet kataterëve sidomos në rastin e valvulave artificiale tek të sëmurët që kanë nevojë”.

 

“Ky është një hap i rëndësishëm përpara që e pozicionon këtë qendër ndër më të avancuarat në kontinent”, tha Godo.

 

Një tjetër mjek u shpreh se, “jemi shumë të kënaqur që më në fund qendra jonë u bë realitet. Kemi një spital të ri modern, është një sallë e re e shkencës e tekonologjisë”.

 

“Është një hapësirë e re për pacientët, ku secili është i monitoruar në mënyrë unike”, tha një tjetër mjeke.

 

Infermieret shprehen se, “jemi shumë të kënaqura me këtë investim të rëndësishëm. Ndiej kënaqësi të madhe që punoj në këtë spital. Me këto standarde përfitojnë shërbim më të mirë pacientë nga e gjithë Shqipëria. Ka një ndryshim rrënjësor me ambientin ku kemi qenë jemi si nata me ditën”.

 

Një pacient tha se, “më vjen mirë që jam një nga pacientët e parë që gëzoj kushtet e reja të këtij spitali të ri”.

 

Shërbimet e Kardiologji 1 dhe 2 janë transferuar së fundmi në Spitalin Qendror në QSUT. Kapacitetet e këtyre dy shërbimeve janë 116 shtretër.

 

Spitali Qendror ka një sipërfaqe ndërtimi 23,290 m2, me kapacitet 345 shtretër ku akomodohen 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara nga kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, reumatologjia, alergologjia, urgjenca dhe imazheria. Në këtë spital shërbejnë 612 staf mjekësor dhe teknik.