Të ftuar të veçantë të Kryeministrit Edi Rama në episodin e radhës të Podcastit “Flasim” ishin ekipi i mjekëve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” të cilët kryen ndërhyrjen kirurgjikale për heqjen e apendesitit të kryeministrit.

 

Në bashkëbisedimin me Ramën ishin të ftuar prof. Arben Gjata, shef i Shërbimit të Kirurgjisë, njëkohësisht rektor i Universitetit të Mjekësisë, prof. Arben Beqiri, mjek kirurg, dr. Dritan Rehovica, mjek kirurg, prof. Krenar Lilaj, shef i Shërbimit të Anestezi-Reanimacionit, si dhe prof. ass. Saimir Kuçi, mjek anestezist.

 

“Jam këtu bashkë me 5 burra që më hynë në trup”, u shpreh Kryeministri, ndërsa prezantoi ekipin e mjekëve.

 

Ai i pyeti mjekët nëse trajtimi që iu bë në QSUT është një privilegj për pozicionin që mban apo është një praktikë e ngjashme edhe për njerëzit e zakonshëm.

 

“Sëmundjet janë të ndryshme, por pacientët janë njësoj. Vetëm ekipi jonë ka bërë mbi 15 mijë operacione me laparoskopi dhe me shumë e shumë ndërhyrje të tjera”, iu përgjigj mjeku Arben Beqiri.

 

Rama kujtoi se, përpara se të largoheshin mjekët erdhën te shtrati dhe i thanë se kishin operuar shumë ministra, zv.ministra, figura publike etj., por fatkeqësisht deri më sot vetëm në spitale private.

 

“Fakti që ju zgjodhët sistemin publik shqiptar, ndër të tjera zgjodhët një kirurg që përfaqëson një forcë tjetër politike tregon që në fakt kjo është një pjesë e emancipimit apo e rritjes së besimit”, tha dr. Beqiri.

 

“Unë isha i shtrirë kur profesor Gjata më tha: Kemi me vete një ish-ministër Shëndetësie. Unë thashë: Larg qoftë, Nard Ndoka!”, vijoi Rama.

 

Kryeministri shprehu besimin se, “në QSUT dhe në shumë spitale të tjera që janë futur në këto standarde nuk ka asnjë lloj diskutimi, ka avantazh ndaj strukturave private”.

 

Duke folur për kushtet e shërbimit spitalor, prof. Gjata tregoi se, “jo më pak se para disa muajsh ishim me një mikun tonë amerikan, i cili ka ardhur në Shqipëri që nga viti 1991, Mark Johnson. Ka qenë gastroeterologu personal i Bill Klinton dhe i Xhorxh W. Bush. Tha se ishte shumë i emocionuar sepse mbante mend spitalin e vjetër që gjëmonim edhe minjtë me fshesë. Kur hyri në sallë tha: ‘Nuk di çfarë të them, por po e them me zë të ulët që standardet i keni njësoj’, se kishte edhe kolegë të tjerë amerikanë”.

 

Gjata tha se, në vitin 2022 kemi arritur rekordin historik të ndërhyrjeve të kryera.

 

“Kemi bërë 2800 operacione brenda vitit dhe ndërkohë është futur dhe një procedurë e re që është ERCP që është lirimi i rrugëve tw tëmthit nga gurët ose nga tumoret të cilët ishin të gjithë pacientë që operoheshin dhe që tani rrinë 24-48 orë në spital dhe dalin në shtëpi dhe nuk është me ndërhyrje operatore, vetëm me fibroskopi dhe numri i tyre ishte rreth 285 dhe duke llogaritur që të paktën një kosto e kësaj procedure kur bëhet në privat mesatarja ishte rreth 2 mijë euro. Në qoftë se do shumëzojmë 285 me 2 mijë, janë rreth 500 mijë euro që i janë kursyer qytetarëve shqiptarë vetëm vitin e fundit”, shtoi ai.

 

Mjeku Dritan Rehovica vlerësoi se, “historia e kirurgjisë laparoskopike ka qenë histori e shndritshme në Shqipëri. E them me bindje sepse tani bëjmë një gamë shumë të gjerë operacionesh”.

 

Rama vlerësoi veçanërisht punën e stafit të infermierëve, ndërsa shtoi se, “njëra anë janë  standardet e gjithë aparaturave, ana tjetër është standardet e gjithë kapitalit njerëzor që ka sistemi”.

 

Rama shprehu solidaritet shumë të fortë me mjekët dhe infermierët, pasi sipas tij, “duket sikur jemi në një varkë ku të gjithë politikanët janë hajdutë, të gjithë mjekët janë hajdutë, të gjithë vjedhin”.

 

“Tani, që ka që abuzojnë, as nuk diskutohet madje unë them më shumë në anën e politikës sesa në anën e mjekësisë, që do të thotë që marzhi është komplet tjetër, por kjo vjen edhe si rezultat i faktit që shumëkush flet për spitalet, për mjekët pa shkuar në spital dhe pa kaluar nga eksperiencat. Ato që i kalojnë eksperiencat direkt kanë tjetër… unë kam shumë raste që më shkruajnë dhe më thonë, “ua, ishim tek Nënë Tereza. Ua, as e kemi pritur kurrë, si na kanë trajtuar”. Mirëpo, ku del kjo? Këtë as në media nuk e dëgjon, se në media do dëgjosh vetëm në mos gabohem tani 55-60 mijë ndërhyrje kirurgjikale që bëhen në Shqipëri, nja 25-30 mijë mikro-kirurgjikale, që janë 90 mijë. Tani, në 90 mijë, 1 rast, 2, 3 mund të jenë fatalë, 5 ose 10 sepse është pjesë e luftës atje”, vijoi ai.

 

Duke ndarë eksperiencën personale, Kryeministri tha se në atë pavijon ishin shtrirë njerëz nga të gjitha rrugët e jetës dhe trajtimi ishte njësoj i barabartë.