Kryebashkiaku i Tiranës listoi ditën e sotme disa nga projektet e bashkisë së Tiranës për katër vitet e ardhshme.

 

Në një intervistë televizive, Veliaj tha se, do të vijojë puna për përfundimin e 7 loteve të fundit të Unazës së Madhe.

 

Veliaj theksoi se, pritet të përfundojnë punimet për dy terminalet e autobusëve duke nisur nga ai i Lundrës që pritet të hapet së shpejti.

 

“Në listën e projekteve që pritet të përfundojnë është edhe loti i fundit i shkollave që do të mbyllë atë që kryebashkiaku e cilësoi ‘operacioni masiv i shkollave të reja në Tiranë”, theksoi ai.

 

“Në katër vitet e ardhshme ne do të mbarojmë të gjitha punët që kanë nisur. Ne mund të vazhdojmë tani në 7 lotet për përfundimin e Unazës së Madhe që çliron totalisht presionin që ka trafiku i hyrjes në qytet. Ne mund të mbarojmë të dy terminalet e autobusëve. Kemi mbaruar atë në Lundër dhe pritet ta hapim së shpejti. Ndërkohë duam të hapim dhe atë në Kthesën e Kamzës për tu siguruar që në dy portat e qytetit mbaron trafiku interurban.

 

Ne kemi lotin e fundit të shkollave. Bëhet fjalë për dy site të ndryshme, një është në zonën e Astirit ku kemi 5 shkolla, 2 janë në Yzberisht, 2 janë në Kashar, 2 janë tek brezi i parë mes autostradës dhe Lanës dhe kemi dhe një sit tjetër tek Liqeni i Thatë, ku njëra është tek Kopshti Botanik dhe tjetra është tek Parku Olimpik. Me këtë lot të fundit të shkollave ne mbyllim përfundimisht të gjithë operacionin masiv të shkollave të reja në Tiranë”, deklaroi Veliaj.

 

Ai njoftoi edhe projektin për ndërtimin e hekurudhës së lidh Durrësin me Tiranën. Veliaj tha se, stacioni bazë do të jetë Kthesa e Kamzës, ku terminali i autobusëve do të kryqëzohet me atë të trenit.

 

“Ne këtë javë do të kemi një inspektim për të gjithë hekurudhën, e cila tashmë është, po punohet në zonën e Vorës, pra po i afrohet Tiranës, bashkë me ministren e transportit Belinda Balluku. Gjykojmë që ai tren i cili lidh Tiranë-Durrës, por edhe me segmentin me një degëzim drejt Rinasit, ndihmon absolutisht Tiranën. Sigurisht që stacioni bazë do të jetëtek kthesa e Kamzës, ku terminali i autobusëve me terminalin e trenit, do të kryqëzohen për atë që ne e quajmë transport multimodal, ndërkohë vetëm për pjesën qytetase, tek “Bulevardi i Ri”, siç e keni vënë re është ruajtur korsia, kështu që tani që treni po vjen nga Vora, ose të paktën hekurudha, traseja po vjen nga Vora në drejtim të Kasharit, tashmë që BE dhe BERZH-i i kanë dhënë financimet e tyre, bashkë me qeverinë shqiptare. Dhe unë besoj që në kohë rekord do të kemi rikthimin e stacionit të trenit në Tiranë, kryesisht për segmentin Tiranë – Durrës dhe Tiranë – Rinas”, deklaroi Veliaj.

 

Kryebashkiaku u ndal dhe tek premtimet e kandidatit të Berishës për transport publik falas duke theksuar se, ai duhet të aplikohet fillimisht në Shkodër, bashki e cila drejtohet nga kjo forcë politike.

 

“Në qoftë se kostoja e autobusit falas, e cila si filozofi nuk funksionon sepse aty është Shkodra, mund ta kishin bërë falas dhe të na tregonin si bëhet. Por në qoftë se kosto i shkonte 90-110 milionë euro në vit për të subvencionuar autobusin falas, i cili nuk ul fare makinat, se ai që ka makinë, nuk është se po paguan naftën 2 mijë lekë dhe po kurseka 40 lekëshin e autobusit”, u shpreh ai.