Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, bëri  thirrje për shmangie të “veprimeve dhe retorikës përshkallëzuese”, mes Kosovës dhe Serbisë. Ky mision vlerësoi se zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe kaluan pa incidente.

 

“Gjatë gjithë kohës, KFOR-i ka qëndruar në kontakt të ngushtë me të gjitha palët e interesit dhe ka monitoruar situatën në terren”, thuhet në një deklaratë në lidhje me zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore.

 

 

Zgjedhjet u bojkotuan gjerësisht nga popullata serbe dhe dalja në to, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte vetëm 3.47 për qind. KFOR thotë më tej në deklaratë se normalizimi i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor për sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

 

Sipas rezultateve paraprake, garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviç, e fituan kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkaq në Zveçan dhe Zubin Potok fituan ata të Partisë Demokratike të Kosovës. Nga dhjetë kandidatë, vetëm një ishte nga komuniteti serb.