Dy ditë më parë, kur dha dorëheqjen si kryetar i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj thirri mbledhjen e kryesisë më 19 maj ora 12:00, por nuk kishte dërguar asnjë njoftim tek anëtaret e kryesisë siç e përcakton statuti i PD.

 

Sipas statutit, një kryetar i dorëhequr nuk e thërret dot Kryesinë e partisë.

 

“Të drejtën për të kërkuar thirrjen e mbledhjes dhe për të propozuar vendime Kryesisë së Partisë e kanë Kryetari i Partisë, Sekretari i Përgjithshëm ose 1/5 e anëtarëve të Kryesisë. Vendimet në Kryesi merren me shumicë të thjeshtë të votave në prani të më shumë se gjysmës së anëtarëve të Kryesisë. Në rast se nuk sigurohet kuorumi i nevojshëm, atëherë mbledhja vijuese e saj për të njëjtin rend dite zhvillohet pavarësisht nga kuorumi”, thuhet në statut.

 

Ndërkaq, mësohet se deputetë të caktuar, që janë pjesë e grupit parlamentar të PD-së deklarojnë se Alibeaj duke dhënë dorëheqjen se ka më kompetencën të thërrasë forumet e partisë.

 

Ndërsa disa deputetë të tjerë ngrenë supet dhe thonë se nuk kanë marrë asnjë njoftim për mbledhjen e sotme në mesditë, vetëm çfarë kanë dëgjuar në media.