Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku tha se, është shumë e domosdoshme që Autoriteti i Konkurrencës të jetë në shërbim të ruajtjes së konkurrencës, që fatkeqësisht është minuar në këto vite në kurriz të portofolit të shqiptarëve.

 

E pranishme sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, Tabaku gjatë diskutimit i kërkoi llogari drejtuesit të Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba për punën e komisionit, pasi ky i fundit kërkoi rritje stafi për institucionin që drejton.

 

Ajo ngriti pyetjen nëse Autoriteti i Konkurrencës ka rritur volumin e punës që kërkon rritjen e stafit.

 

Tabaku tha se, “për mua, ne mund të konsiderojmë sukses vendimet e zbatuara dhe të reflektuara në kohë tek qytetarët duke mbrojtur konkurrencën”.

 

“Kemi diskutuar për tregun e miellit, kur dinamika ndryshon. Mirëpo kur Autoriteti Konkurrencës vepron me vonesë nuk reagon në kohë për qytetarët! Nuk ju dëgjova për portin e Durrësit të ishit aktivë që është në shkelje të konkurrencës dhe nuk u shprehët. Nëse doni rritje të stafit, atëherë bëni punë që të referoheni sikundër ndodh me KLSH dhe zbulimet e saj”, tha Tabaku.