Ministri i Brendshëm, Taulant Balla vlerësoi sot se “Shqipëria po thellon çdo ditë e më shumë bashkëpunimin me INTERPOL në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike dhe armëve, por edhe në gjetjen e personave në kërkim nga drejtësia shqiptare.
Ministri theksoi se bashkëpunimi është shtrirë po ashtu në forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit në përballjen me krimet kibernetike.
“Gjatë 24 orëve të fundit, falë këtij bashkëpunimi, kanë vijuar ekstradimet nga Spanja, Gjermania dhe Britania e Madhe, të personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare”, bëri të ditur Balla.
Po ashtu, ministri i Brendshëm informoi se në vlerësim të rezultateve të arritura nga Policia e Shtetit, Shqipëria është përzgjedhur këtë vit si vendi organizator i Konferencës Rajonale Europiane të Interpol, organizatës më të madhe policore me 196 anëtarë në mbarë botën.
“Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të mirëpresin më 11-13 qershor 2024 drejtuesit më të lartë të policisë nga e gjithë Europa dhe vende të tjera për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit”, u shpreh Balla./ata