Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetari i PS-së, deklaroi sot se, Shkodra është i vetmi qytet i papastruar në të gjithë territorin, ku plehrat nuk mblidhen me ditë të tëra.

 

Gjatë një deklarate për mediet, pas mbeldhjes së kryesisë së PS-së, Rama theksoi se, bashkëpunimi me bashkinë e Shkodrës ishte zero dhe kjo për faktin se, drejtuesit e saj i përkasin një force politike që kurrë nuk ka pasur aftësinë të drejtojë në funksion të njerëzve dhe komuniteteve.

 

“Ne do të bëjmë tonën në çdo bashki, do të bëjmë tonën, siç kemi bërë në Shkodër. E kemi pasur zero bashkëpunimin me bashkinë, jo për faktin se ne nuk kemi dashur bashkëpunim në gjithë këto vite, por për arsye se ka edhe një element tjetër se kandidatët e këtyre forcave i përkasin një familjeje, të themi, të shthurur politike, e cila kurrë nuk ka pasur aftësinë të drejtojë në funksion të njerëzve dhe komuniteteve. Nuk ka një rast, një bashki apo komunë në territorin e Shqipërisë, që kur këta kanë pasur drejtimin kanë sjellë ndryshim përkundrazi vetëm degradim”, u shpreh Kryeministri.

 

Situatën në të cilën ndodhet vendi aktualisht, Rama e cilësoi si të jashtëzakonshme.

 

“Është një situatë e jashtëzakonshme, sepse zgjedhja është midis një force të madhe politike, e cila ka treguar se çfarë di të bëjë dhe ka treguar se ka vullnetin të bëjë akoma në një Shqipëri, e cila ekonomikisht po hyn më në fund në një cikël të ri dhe politikisht është një vend që s’ka qenë kurrë më i respektuar dhe më i rëndësishëm në rajon dhe në tryezën e madhe të përbashkët të komunitetit politik evropian”, deklaroi Rama.