Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh sot se, “lulishtes së fundit të Tiranës po i vjen fundi”.

 

“Prej dekadash Tiranën e qelbte një moçal që ishte burimi ndotjes dhe modeli perfekt i zhvillimit. Aty u vendos në 2011 të ndërtohej një park, për të mbyllur një herë e mirë epokën e një Tirane të mbytur në pisllëkun e asaj grope”, shprehet ajo në një postim në rrjetet sociale.

 

“Fatkeqësisht asaj lulishte i erdhi goditja nga ata që kanë vendosur të shkatërrojnë Tiranën duke i zhdukur çdo copëz identitare. Akoma më keq, sot një qytet pa identitet po e kthejnë në të pajetueshëm”, thekson ajo.

 

“Fatkeqësisht këto ndërtime po i vjedhin shpirtin dhe të ardhmen familjeve. Jo vetëm se ofrojnë betonin dhe jo planifikimin urban por sepse përmes pastrimit  të parave ofrojnë një të ardhme të pandershme dhe të pabarabartë. Kjo pandershmëri ka prodhuar këtë ekonomi ku çmimet rriten artificialisht ndërsa çiftet e reja e kanë ta pamundur të blejnë një apartament sado punë të mira të kenë”, nënvizon ajo.

 

“Tirana po kthehet në një fjetore që nuk ka jetë. Njerëzit janë kthyer në banorë të një qyteti që ofron kutitë e betonit si shtëpi, pa identitet, pa urbanizim. Një fjetore e madhe prej betoni! Këtë zhvillim nuk e do askush përpos bashkëortakëve që nuk kanë në dëshirë të ndërtojnë qytete të banueshme por lavatriçe të mëdha parash”, shton ajo.

 

“Ky zhvillim nuk është oferta e duhur për pronën, por kurthi ngritur nga ortakët bashkëfajtorë që qëllimisht këtë situatë e konsiderojnë zhvillim. Një qytet i tillë nuk ofron asgjë veç flluskave dhe piramidave ekonomike ku në fund do humbasin qytetarët ndërsa bashkëfajtorët do përpiqen të justifikohen se kështu qe sistemi!”, thekson ajo

 

“Pikërisht këtë sistem mbrojti mazhoranca socialiste dy javë më parë në parlament duke rrëzuar propozimet ligjore që prezantova. Një grup ndryshimesh që do të frenonin investimet e ortakëve bashkëfajtorë në kulla të tilla me fonde të dyshimta. E rrëzuan sepse kërkojnë që askush mos ketë përgjegjësinë të kontrollojë fondet e atyre që ndërtojnë”, shton ajo.

 

“E rrëzuan sepse askush nuk do të ofrojë transparencën e ndërtuesve me zero kapital që lulëzojnë në kulla. E rrëzuan sepse siç edhe kanë dëshmuar këto javë krimi organizuar konvertuar dhe investitor (strategjik) mbeten partnerët e një mazhorance që e konsideron edhe sot veten e paprekshme!”, përfundon Tabaku.