Një 30-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Pogradecit, pasi ishte shpallur në kërkim për dy ngjarje të ndryshme. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi Mario Xhangolli.
NJOFTIMI I POLICICE
Finalizohet operacioni policor i koduar “Wanted”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për dy ngjarje të ndodhura muajt e fundit, në Pogradec. Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim me DVP Tiranë. Kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçari, i cili në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë (vëllezër), kanosi 2 qytetarë dhe dëmtoi me sende të forta automjetet e tyre.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës intensive për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të shpallur në kërkim, falë bashkëpunimit me DVP Tiranë dhe shkëmbimit të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Wanted”. Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim:
M. Xh., 30 vjeç, banues në Pogradec.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit B. S. dhe S. S. (vëllezër, të shpallur në kërkim), më datë 01.03.2023, kanë kanosur një 37-vjeçar, të cilit i dëmtuan edhe xhamat e automjetit. Gjithashtu më datë 18.04.2023, në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, pranë vendit të quajtur Qafë Plloçë, për motive të dobëta, përplasën qëllimisht, me automjetin e tyre, automjetin e një 39-vjeçari, të cilin e kanosën, i dëmtuan me sende të forta automjetin dhe më pas u larguan me shpejtësi, nga vendngjarja.
Polica po vijon punën për kapjen e 2 bashkëpunëtorëve, shtetasve B. S. dhe S. S., me qëllim vënien e tyre para përgjegjësisë penale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.