Zjarri që prej 7 ditësh ka përfshirë Goricën po rrezikon edhe Parkun Kombëtar të Prespës.
Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole si dhe kreu i bashkisë së Pustecit, Pali Kolevski po ndjekin nga afër aksionin për neutralizimin e zjarrit.
“Në ditën e 7-të, po vijojmë luftën në një vatër komplekse, në zonën e Parkut Kombëtar të Prespës. Kemi organizuar punën me të gjitha strukturat operacionale në nivel qarku. Na janë ofruar si mbështetje edhe shërbimet e bashkive të tjera, agjensinë e zonave të mbrojtura, me shërbimin pyjor, strukturat e policisë etj”, tha prefekti Jole.
Sipas tij, po bëhen përpjekje të mëdha për të neutralizuar ku është mundësia mospërhapjen e mëtejshme të vatrës së zjarrit duke shpresuar që në këtë mënyrë do të kufizojmë ecurinë e saj.
“Në çdo rast jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me autoritete, ministrinë e Mbrojtjes, me ministrin posaçërisht, me drejtorinë e agjensisë kombëtare të mbrojtjes civile duke shpresuar që nuk do të jetë e nevojshme të angazhohet mekanizmi europian për ndërhyrje nga ajri megjithatë nëse një nevojë e tillë do të jetë, kemi marrë mbështetje dhe garanci që të sigurohet edhe ky shërbim në mënyrë që të mbrojmë një nga zonat më të pasura pyjore të qarku tonë por edhe të gjithë Shqipërisë”, deklaroi ai.
Kryetar i bashkisë Pustecit, vuri në dukje se sot janë rreth 80 forca të cilat presin të shkojnë te vatrat e zjarrit.
“Sot do jetë dita më vendimtare siç parashikojnë edhe specialistët e zonave të mbrojtura dhe zjarrfikses.Në këto momente është ulur intesiteti i flakëve si rezultat i punës intensive të punonjësve që kanë punuar edhe gjatë mbrëmjes. Sipas informacioneve të para mësohet se rreth 5-6 km janë vënë nën kontroll, vijë lineare”, deklaroi ai./ata