Gjatë fjalës së tij në OKB, ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov tha se institucionet në Prishtinë nuk mund të përfaqësojnë interesat e serbëve që jetojnë në Kosovë, ashtu si Kievi nuk mund të përfaqësojë rusët në Donbas e Krime.

 

Lavrov solli në vëmendje dhe çështjen e asociacionit, ashtu siç ambasadori rus ne Beograd kishte deklaruar se do ta kthenin në çështje në këshillin e sigurimit.

 

“Serbëve të Kosovës iu premtua autonomia nga Bashkimi Evropian, ashtu si Berlini dhe Parisi premtuan status të veçantë për Donbasin, rezultatet e këtyre premtimeve janë të njohura” deklaroi Lavrov

 

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ambasadorit të Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha. Ai tha se Rusia nuk mund të përmendë Kosovën, shtet që njihet më shumë se gjysma e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, për të justifikuar veprimet e tyre.

 

Drejtësia ndërkombëtare e ka konfirmuar se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe kjo çështje është e mbyllur.

 

“Rusia vazhdon t’i referohet Republikës së Kosovës, një vend i njohur nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së, për të justifikuar veprimet e saj të paligjshme në Gjeorgji në vitin 2008, në Ukrainë që nga viti 2014, gjë që siç e dimë të gjithë po vazhdon deri në këto momente. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, e njëjta gjykate ka kërkuar që Rusia të ndalojë luftën e saj, prandaj nuk ka asgjë që tingëllon më e zbrazët sesa përpjekja e dëshpëruar për të justifikuar të pajustifikueshmen, dhe përpjekja e saj për t’u fshehur pas të papranueshmes”, deklaroi Hoxha.

 

Nga ana tjetër ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, në takimin me ministren e Jashtme të Kosovës beri thirrje për “zbatimin e shpejtë” të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

 

“Ambasadorja Thomas-Greenfield përsëriti se Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në mënyrë aktive për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në zbatimin e angazhimeve të tyre në drejtim të një marrëdhënieje të qëndrueshme dhe paqësore”, thuhet në njoftimin për mediat.