Policia bëri të ditur  të mërkurën se Ruben Saraiva, 4 shtetas britanikë dhe shqiptari Edmond Haxhia, organizuan dhe ekzekutuan biznesmenin Nikulaj.

 

 

Kujtojmë se, gjashtë persona kanë bashkëpunuar për të kryer vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj mesditën e 19 prillit brenda lokalit të tij në Shëngjin. Policia ka shpallur në kërkim 4 britanikë, një shqiptar që ka porositur dhe financuar atentatin ku u ekzekutua 51-vjeçari dhe ekzekutorin portugez.

 

Në një konferencë për mediat, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku bëri me dije se vrasja e Ardian Nikulajt brenda lokalit të tij ‘Coral’ ka ndodhur për motive gjakmarrje.

 

 

 Porositësi dhe financuesi i vrasjes, mësohet se ka qenë Edmond Haxhia, një i afërm i familjes Lekstakaj me të cilën Nikulaj ishte në gjakmarrje që prej vitit 1996. Haxhia ishte kthyer në Shqipëri prej disa muajsh.

 

TË SHPALLUR NË KËRKIM NGA POLICIA:

 

 

Edmond Haxhia, shtetas shqiptaro-britanik (porositësi dhe financuesi i atentatit)

 

Ruben Saraiva (ekzekutori portugez)

 

Harry Simson, shtetas britanik

 

Harriet Bridgeman, shtetase britanike

 

Thomas Mithan, shtetas britanik

 

Steven Hunt, shtetas britanik (shfaqet në kamerat e sigurisë teksa vëzhgon lëvizjet e Nikulajt)

 

SI NDODHI VRASJA?

 

Ekzekutori i 51-vjeçarit, portugezi Ruben Saravia pasi kreu vrasjen është larguar nga vendi i ngjarjes ka humbur gjurmët në fshatin Gjadër pranë fshatit ku banonte familja Haxhia që dyshohet se e ka strehuar dhe e ka ndihmuar.

 

Portugezi ka furnizuar motorin e tij në një pikë karburanti në superstradën Lezhë-Shkodër. Kjo është zbuluar pas këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe policia ka shoqëruar pyetur punonjësin e karburantit i cili ka komunikuar me drejtuesin e motorit.

 

Ai ka qenë i kamufluar me të njëjtat rroba dhe ka folur në gjuhë të huaj në momentin kur ka kërkuar për të furnizuar mjetin dhe më pas është larguar.

 

Motori dyshohet të jetë blerë nga një vajzë në qytetin e Shkodrës, por për shkak të sekretit hetimor nuk jepen detaje.

 

Diçka e tillë pritet të ndihmojë hetuesit për të shkuar në gjurmët e autorit. Policia është rikthyer sërish në zonën e Gjadrit dhe Kakarriqit, duke bërë kontrolle në disa banesa në kërkim të gjurmëve të autorit.

 

Kryesisht kontrollet janë përqendruar në banesat e disa personave të cilët kanë lidhje me fisin Lekstakaj.