Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj njoftoi se ditën e sotme Këshilli i Ministrave miratoi projektvendimin për programet e nxitjes së punësimit që lidhen me skemën e garancisë rinore. Ibrahimaj tha se ky program do t’i kushtohet të gjithë të rinjve nga mosha 15-29 vjeç, të cilët kanë të paktën 4 muaj pa një punë apo një program arsimimi. Përmes këtij programi, këtyre të rinjve do iu ofrohen kurse formimi profesionale ose vende pune që do të mbulohen nga buxheti i shtetit ose fonde e BE-së. Pra, të rinjtë nuk do të paguajnë asnjë para nga xhepi i tyre për të përfituar këto kurse profesionale.

 

Pas përfundimit të kursit profesional, të riut do i ofrohet një vend pune për një periudhë 6 mujore, ku 3 muajt e parë do paguhet sa 80% e pagës minimale, ndërsa në 3-mujorin e dytë do të paguhet me pagën minimale të plotë, që aktualisht është 40 mijë lekë.

“Miratimi i projekt vendimit për programet e nxitjes së punësimit që lidhen me skemën e garancisë rinore. Ne kemi folur gjatë gjithë këtij viti dhe vitit të kaluar për programin e garancisë rinore, i cili do t’i drejtohet aftësimit dhe punësimit të të gjithë të rinjve në Shqipëri në moshat 15-29 vjeç. Konkretisht, programi do t’i referohet kësaj grupmoshe e cila ka një papunësi më të lartë se papunësia e përgjithshme e vendit dhe do t’i drejtohet duke i ofruar çdo të riu, i cili ka të paktën 4 muaj pa një punë apo një program arsimimi, duke i ofruar programe të aftësimit nëpërmjet kurseve të formimit profesional apo një vend pune. I gjithë ky proces do të vijë i mbështetur nga fondet e buxhetit të shtetit në bashkëpunim me fondet e BE dhe çdo i ri që do të përfundojë një program të formimit profesional, për një hark kohor deri në 6 muaj, do t’i ofrohet një vend pune dhe ky vend pune do të paguhet për 3 muajt e parë me 80% të pagës minimale me një pagë të reduktuar dhe për 3 muajt e dytë, do të zgjasë 6 muaj, do të paguhet me 100% të pagës minimale”, tha Ibrahimaj.

 

Ministrja shpjegoi se do të ketë rimbursim transporti për të gjithë ata të rinj që vendin e punës ose kursin e formimit profesional do e kanë më larg se 2 km nga shtëpia. Vlera e rimbursimit të transportit do të jetë 1600 lekë. Ndërkohë, për bizneset private që do të punësojnë këto të rinj që marrin pjesë në këtë program, do t’u paguhet 20% e orës së punonjësit që merret me trajnimin e të rinjve.

 

"Të gjitha bizneset që do të punësojnë një të ri të moshës 15-29 vjeç që janë pjesë e këtij programi, do të paguhet 20% e kohës e personit që do të merret me trajnimin e të rinjve dhe të rinjve do t’u paguhet edhe transporti, deri në masën 1600 lekë nëse banojnë më shumë se 2 km larg nga vendi i punës apo vendi i formimit profesional. Kjo është një politikë e cila shkon e gjitha në linjë me politikën që qeveria shqiptare po ndërmerr për të përmirësuar kushtet e tregut të punës, për të pasur një ofertë pune me cilësore, për të rritur pagat e të punësuarve, pra, për të rritur standardin e ofertës së punës në të gjithë vendin”, theksoi ajo.

 

Ministrja tha se kjo është një politikë që po merret për të përmirësuar kushtet e tregut të punës, për të pasur një ofertë pune me cilësore.