Mediat greke i kanë kushtuar një artikull 56-vjeçarit,  Kujtim Demiri, i arrestuar në Athinë disa ditë më parë.

 

Në artikull thuhet se autoritetet greke morën një njoftim nga Interpol Albania, për një urdhër arresti ndërkombëtar që kishte të bënte me një 56-vjeçar, i cili ishte dënuar në Shqipëri me 15 vjet burg për “trafikim të të miturve”.

 

Kur Departamenti i Kërkimeve të Sigurimit të Atikës u njoftua për praninë e 56-vjeçarit në Athinë, policia greke u mobilizua për gjetjen e tij. Kështu, i kërkuari është lokalizuar në Patisia, ku policia e ka vënë në pranga pa asnjë rezistencë.

 

Lidhur me të shkuarën e tij kriminale, burime policore thonë se 56-vjeçari akuzohet se ka “blerë” një fëmijë nga një familje e varfër në Shqipëri, më konkretisht në Tiranë. Ai dyshohet se ka paguar një shumë që i korrespondon afërsisht 900 eurove. Më pas, në mënyrë të paligjshme dhe duke ushtruar dhunë, e ka transportuar 8-vjeçarin në Athinë, ku e ka detyruar të lypë në pjesët qendrore të kryeqytetit, dhe më pas t’i dorëzonte paratë.

 

Tashmë kanë nisur procedurat për ekstradimin e të arrestuarit në Shqipëri. Megjithatë, për autoritetet greke mbetet e panjohur se çfarë ka ndodhur me fëmijën 8-vjeçar.