Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi përgëzoi sot Forcat Ajrore për kontributin e tyre, në kuadër të 72-vjetorit të kësaj Force.

 

“Mbrojtja e hapësirës sonë ajrore, reagimi ndaj situatave emergjente, në kohë të vështira dhe kritike, në fatkeqësi dhe nevojë, në ndihmë e në shpëtim jetësh, përgjatë 72 vitesh, e kanë bërë aviacionin tonë ushtarak dhe pilotët e tij, njerëzit më të dashur dhe të nderuar”, shkroi Peleshi, në postimin e tij në rrjetet sociale.

 

Peleshi theksoi se, “kontributi i çdo ushtaraku të Forcës Ajrore është i pamatshëm dhe pjesë e pazëvendësueshme e historisë sonë kombëtare. Krenarë”.

 

Forcat Ajrore Shqiptare u krijuan zyrtarisht më 24 prill 1951. Avionët e parë ishin avionë sovjetikë të prodhuar mbas Luftës së Dytë Botërore Yak-18 dhe fillimisht u dislokuan në Laprakë në periferi të kryeqytetit të Shqipërisë, Tirana.

 

Pak vite më vonë, Forcat Ajrore Shqiptare do të pajiseshin edhe me avionë luftarakë reaktive. Skuadrilja e parë me avionë luftarakë MiG-15Bis, kodi i NATO-s ‘Fagot’ e titulluar “Peza” u krijua në vitin 1955. Kjo skuadrilje u dislokua në aeroportin e Kuçovës.

 

Në vitet e mëvonshme, në kuadrin e ndihmës ushtarake nga Bashkimi Sovjetik, Forcat Ajrore Shqiptare u pajisën edhe me avionë luftarakë të tipave MiG-17, kodi i NATO-s ‘Fresco’ dhe MiG-19, kodi i NATO-s ‘Farmer’, dhe në fillim të viteve 70-të edhe me avionë luftarakë MiG-21 të prodhimit kinez. Avionët luftarakë që erdhën nga Kina kishin marka prodhimi të ndryshme nga ata sovjetikë, por në Forcat Ajrore Shqiptare, ata u njohën gjithmonë me markën sovjetike të prodhimit.

 

Në qershor 1957 u krijua regjimenti i parë transportues i pajisur me helikopterë Mi-1 (3 copë), helikopterë të rinj Mi-4 (3 copë) si edhe disa avionë me helikë Yak-18 dhe PO-2. Në vitin 1967 ky regjiment u zgjerua në kapacitet me ardhjen e 30 helikopterëve Mi-4.

 

Në vitin 1962 u krijua Regjimenti i Rinasit me avionë luftarakë MiG-17 dhe avionë MiG-19. Avionët luftarakë MiG-19 ishin ‘shtylla’ e kësaj force për shkak të numrit të tyre të madh (mbi 70 avionë). Po në të njëjtin aeroport u dislokuan për një kohë të shkurtër avionët luftarakë të sapoardhur nga Kina; avionët luftarakë të tipit F-7A ‘Fishbed C’ të cilët ishin versioni kinez i avionit luftarak sovjetik MiG-21F-13 (modeli i parë i prodhuar në masë). Por pas pak kohe këta avionë (12 në numër) u transferuan në bazën ajrore më të re të Forcave Ajrore Shqiptare; ajo e Gjadrit, ndryshe e njohur edhe si Lezha-Zadrima.

 

Avionët F-7A (MiG-21F-13) u grupuan në një skuadrilje. Gjithashtu, baza ajrore e Gjadrit kishte edhe 2 skuadrilje me avionë F-6S (MiG-19) dhe një skuadrilje me avionë F-5 (MiG-17) si edhe disa avionë mësimorë MiG-15UTI dy-vendesh. Baza ajrore e Gjadrit dallohej nga dy bazat e tjera nga një tunel i nëndheshëm i ndërtuar nën malin e Gjadrit.

 

Në periudhën 1950-1975, Forcat Ajrore Shqiptare ishin një nga forcat ajrore më moderne në rajon, por edhe në botë si për sa i përket pajisjes logjistike, ashtu edhe përgatitjes së lartë të kuadrit që ajo dispononte.

 

Pilotët shqiptarë dalloheshin nga pilotët e tjerë në shkollat e huaja të përgatitjes së pilotëve luftarakë si ato të Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës për aftësitë e larta profesionale që tregonin.

 

Në vitin 1962, Bashkimi Sovjetik furnizoi Forcat Ajrore Shqiptare me 12 avionë luftarakë MiG-19PM, kodi i NATO-s ‘Farmer E’ të pajisur me radarë. Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Shqipëria u miqësua me Kinën. Qeveria kineze i bëri një propozim qeverisë shqiptare që t’i shkëmbenin avionët luftarakë MiG-19PM me një numër më të madh MiG-19S të prodhimit kinez.

 

Ky propozim u pranua nga qeveria shqiptare dhe të 12 MiG-19PM u shkëmbyen me avione më pak të sofistikuar të variantit MiG-19S. Këta avionë nuk ishin të pajisur me radarë dhe mund të fluturonin vetëm ditën në kushte optimale atmosferike.

 

Po në vitin 1962, Akademia e Aviacionit u krijua në Vlorë, akademi e cila kishte statusin e shkollës së lartë. Kjo akademi kishte në dispozicionin e saj, avionë mësimore për stërvitjen bazë CJ-6 (Jak-18), avionë luftarakë reaktive MiG-15bis dhe avionë mësimorë dy-vendesh MiG-15UTI./ATSH