Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla gjatë një interviste për RTV21 foli edhe për marrëveshjen e Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 

 

 

“Marrëdhënie normale mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund t’i quash këto që i kemi momentalisht. Më 18 mars në Ohër është bërë një marrëveshje për implementimin pra cilat do të jenë sekuencat në bazë të cilave do të implementohet marrëveshja e Brukselit. Unë dëgjoj ndërkohë Vuçiçin e Daçiçin dhe sinqerisht e pyes vetën a kemi marrëveshje apo nuk kemi marrëveshje?! Po të dëgjosh deklaratat e tyre, mënyrën se si ata e trajtojnë atë për të cilën jemi marrë vesh në Bruksel, atëherë zgjohet pyetja se ku jemi me ta. Unë besoj në partnerët tanë evropianë dhe amerikanë të cilët në fund të fundit janë garantues të kësaj marrëveshjeje do ta zgjedhin gjuhën ndaj Vuçiçit me qëllim që këto lloj deklaratash të marrin fund”, tha Gërvalla.

 

Ajo më tej tha se Kosova deri sot nuk e ka pasur asnjë mundësi ta paraqes asnjë draft-statut sepse sipas saj fillimisht duhet të paraqitet nga dikush tjetër.

 

“Kryeministri Kurti ka qenë i gatshëm që më datën 19 mars të paraqet një draft të një statuti por nuk ka qenë e gatshme as Serbia ta pranojë, as BE-ja ta trajtojë. Në momentin e parë të mundshëm institucionet e Republikës së Kosovës do të paraqesin një draft të mirë, të bazuar në vlerat evropiane, të fqinjësisë së mirë, që nuk e cenon sovranitetin e Republikës së Kosovës edhe nuk e cenon funksionalitetin e Kosovës. Sepse këto janë dy vijat e kuqe të cilat asnjë asociacion asnjë draft, asnjë negociatë, asnjë dialog nuk mund t’i shkelë”, tha Gërvalla.