INSTAT-i ka publikuar raportin e statistikave të transportit ajror, detar dhe rrugor për 3 mujorin e parë të vitit 2023, në të cilin reflektohen të dhënat për transportin e mallrave, pasagjerëve dhe eksport-importet e mallrave.

 

 

Sipas Institutit të Statistikave, transporti ajror i mallrave është gradualisht në një trend rritje. Në Shqipëri, në këtë fushë operojnë 17 shoqëri ajrore, nga të cilat 15 janë të huaja dhe dy janë shqiptare.

 

“Gjatë tremujorit të parë 2023, në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar 45 mijë e 87 avionë. Numri i mbikalimeve në hapësirën ajrore shqiptare rezultoi 36 mijë e 701, duke u rritur me 38,7 %, krahasuar me tremujorin e parë 2022”- thuhet në raportin zyrtar.

 

 

Volumi i mallrave (duke përfshirë postën) të hyrë dhe të dalë nëpërmjet transportit ajror rezultoi 449,7 tonë, nga të cilat 77,3 % janë mallra të hyrë dhe 22,7 % janë mallra të dalë. Krahasuar me tremujorin e parë 2022, volumi i mallrave paraqitet me ulje 6,8 %.

 

I ndalur tek eksport/importet e mallrave përmes rrugëve ajërore, INSTAT evidenton se në tremujorin e parë 2023 ka mbërritur në 333 tonë, shifra këto të cilat kanë pësuar një ulje të ndjeshme me 10.2% krahasuar me një vit më parë.

 

Volumi i mallrave të importuara me ajër në tremujorin e parë 2023 zë 0,02 % ndaj volumit gjithsej të mallrave të importuara, thuhet në raport.

 

Sa i përket transportit detar, në Shqipëri operojnë katër porte që shërbejnë edhe për transport mallrash: Porti i Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe porti i Limjonit (Sarandë).

 

Durrësi, i cili është edhe porti kryesor i vendit, në tremujorin e parë të vitit 2023 ka nxjerrë për transport 95,9 % të volumit të mallrave të transportuar me det, që e përkthyer në shifra do të thotë një mijë e 553 tonë mallra. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave evidentojnë se volumi i mallrave të transportuara nga porti i Durrësit është rritur me 14,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Numri i anijeve të hyra dhe të dala nga portet në vend ka pësuar rënie të ndjeshme me 9.3% krahasuar me një vit më parë, thotë INSTAT, nga ku vetëm anijet e huaja që ankorohen në brigjet shqiptare ka rënë me 1.7%. Të dhënat e përcjella tregojnë se 194 anije janë ankoruar në brigjet shqiptare gjatë 3 mujorit të parë të 2023, nga të cilat 170 janë të huaja dhe 24 janë anije vendase.

 

Sakaq, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar nëpërmjet porteve detare Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin është 138 mijë e 242 duke shënuar rritje me 13,9 %, krahasuar me tremujorin e parë 2022. Nga Porti i Durrësit kanë udhëtuar 79,5 % e pasagjerëve, më pas vjen porti i Vlorës me 15,7 %, porti i Sarandës me 4,8 %.

 

Rritje me 5.5% ka pësuar edhe volumi i mallrave të tregtuara me det ose e përkthyer në shifra, 1.291, 9 mijë tonë. Nga këto, volumi i mallrave të eksportuara zë 44,1 % e totalit të volumit të përgjithshëm të mallrave të eksportuara, ndërsa i  të importuarave 68,3 %.