Shkencëtarët kanë nisur një mision ambicioz global për të zbuluar dhe regjistruar jetën nënujore të fshehur në oqeanet e planetit tonë.
Censi i oqeanit synon të identifikojë 100 mijë specie nënujore të panjohura më parë, në një hark kohor 10-vjeçar, duke mundësuar në këtë mënyrë që të kuptohet dhe të mbrohet më mirë ekosistemi i thellësive.
Njohuritë e njeriut mbi oqeanet kanë boshllëqe të mëdha. Sipas censit, nga 2,2 milionë specie që besohet se ekzistojnë nën ujë, vetëm 240 mijë janë përshkruar nga shkencëtarët. Nisma është vazhdim i projekteve të mëparshme, si Censi i Jetës Nënujore, i përfunduar në vitin 2010, ku u identifikuan 6000 specie të reja gjallesash.
Teknologjitë e reja që janë futur në përdorim mundësojnë fotografimin e oqeanit me rezolucion tepër të lartë, ndërsa studiuesit do të kenë gjithashtu mundësi të analizojnë më në detaje ADN-të që ndodhen nën ujë. Në këtë mënyrë do të bëhet e mundur zbulimi më i shpejtë i specieve të reja.
“Në përfundim të 10-vjeçarit shpresoj se do të kemi bërë disa zbulime të pabesueshme, ndoshta edhe ekosisteme tërësisht të reja”, tha Alex Rogers, profesor në Universitetin e Oksfordit.
Projekti kryesohet nga Nekton, një institut shkencor me seli në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa financimin e bën Fondacioni “Nippon”, një organizatë joqeveritare me seli në Japoni.