Qindra mijëra qytetarë kanë protestuar në Francë kundër reformës së pensioneve në ditën ndërkombëtare të punëtorëve, duke shkaktuar trazira dhe përplasje në rrugët kryesore të qyteteve. Sipas ministrisë së Brendshme, të paktën 108 agjentë dhe xhandarë në të gjithë Francën u plagosën dhe 291 persona u arrestuan (90 prej tyre në Paris).

 

Në Paris, disa statuja, ishin mbështjellë me një banderolë, në të cilën shkruhej ‘Macron jep dorëheqjen’! Protestuesit dëmtuan biznese të ndryshme përfshirë banka dhe agjenci imobiliare.

Përleshje me policinë, plagosje, djegie makinash dhe dëme të tjera të konsiderueshme u regjistruan gjithashtu në demonstratën e madhe ndërsindikale në Lion. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës ndërsa protestuesit marshuan drejt qendrës së qytetit.

 

Përleshje u zhvilluan në Nante pranë selisë së prefekturës, ku disa persona hodhën karrige dhe gurë, të cilëve policia u përgjigj me gaz lotsjellës. Skenar i ngjashëm në Toulouse, në jug të Francës: edhe këtu policia përdori gaz lotsjellës për të shuar reagimet e dhunshme të demonstruesve.

 

Në Marsejë, në fund të demonstratës së sindikatave, rreth 200 protestues pushtuan për pak kohë hotelin Intercontinental. Protestuesit dëmtuan hotelin luksoz, duke thyer vazo me lule dhe duke ngjyer kolltuqet në holl. Ndërkohë, protestuesit u shpërndanë nga policia me gaz lotsjellës. 

 

Sipas shifrave të dhëna nga Ministria e Brendshme, në demonstrata morën pjesë 782 mijë persona. Por sipas, CGT, sindikata kryesore franceze, kishte 2.3 milionë demonstrues, nga të cilët 550,000 në Paris.