Komuniteti lokal i Ohajos në SHBA është i tronditur nga vrasja e trefishtë e tre djemve të moshës 7, 4 dhe 3 vjeç, të cilët u ekzekutuan me gjakftohtësi nga babai i tyre.

 

Chad Doerman u arrestua menjëherë pas krimit tronditës të enjten e kaluar dhe po mbahet në burgun e qarkut në Clermont. Të premten, kur doli në gjykatë për t’u informuar për aktakuzën, 32-vjeçari shpërtheu në lot teksa prokurorët përshkruan tmerrin që ndodhi pasditen e kaluar në shtëpinë e tij. 32-vjeçari rreshtoi tre djemtë e tij të vegjël dhe i ekzekutoi.

 

“Në një akt mizorie të papërshkrueshme, babai rreshtoi tre djemtë e vegjël dhe i ekzekutoi në shtëpinë e tij me pushkë. Dihet se njëri nga djemtë arriti të shpëtonte dhe vrapoi në një fushë afër shtëpisë. Babai e tërhoqi zvarrë në shtëpi dhe e ekzekutoi para dëshmitarëve”  tha  Prokurori i Qarkut David Gast për Doerman.

 

Duke i quajtur vrasjet e djemve si “veprimin më të keq kriminal” që ka parë në karrierën e tij, Gast shpjegoi se nëna 34-vjeçare e fëmijëve u përpoq të shpëtonte fëmijët e saj duke i rrëmbyer armën 32-vjeçarit, i cili e qëlloi në krah.

 

Sipas të njëjtit prokuror, Doerman pranoi veprimet e tij, të cilat duket se ishin të paramenduara, megjithëse motivet e tij të sakta mbeten të panjohura për momentin.

 

Mediat ndërkombëtare raportojnë se njerka e burrit ka arritur t’i shpëtojë masakrës , Ajo iku duke bërtitur dhe duke kërkuar ndihmën e fqinjëve për të kontaktuar policinë.

 

Në videon e publikuar pas arrestimit të 32-vjeçarit, ai shihet i qetë me armën pranë tij në shkallët e shtëpisë. Policia e arreston ndërsa në sfond dëgjohet një grua duke qarë dhe duke bërtitur.