Nga Korça, kryeministri Edi Rama është shprehur se një nga objektivat kryesore është shndërrimi i sportit dhe veçanërisht i futbollit, në një motor për zhvillimin turistik dhe ekonomik. Kësisoj, thënë ndryshe, Rama tha se plani është zhvillimi i infrastrukturës sportive në mënyrë që skuadra të njohura europiane të vijnë dhe të zhvillojnë seancat përgatitore në Shqipëri.

 

“Kemi ambicien për të transformuar sportin dhe futbollin në një mundësi të shtuar për turizmin, duke ofruar infrastrukturë dhe logjistikë për skuadrat e huaja të stërviten në Shqipëri. Korça besoj se do jetë e para, që këto skuadra të kalojnë periudhën përgatitore dhe në këtë kontekst dua të shtoj që duam të shohim përtej fushës së blertë dhe të krijojmë një gravitet të ri për këto qytete, që të shkojnë përtej ndeshjeve të së dielës”, tha Rama.

 

 

Ai shtoi se në fokus do të jenë edhe fëmijët, duke theksuar se do të shtohen terrenet sportive që të mund të jenë të aksesueshëm për të gjithë, nga zonat rurale edhe në ato urbane. Për këtë, tha se financat nuk janë një problem, por duhet një koordinim i mirë mes institucioneve.

 

“Do duhet një koordinim më i mirë dhe më i ngushtë sepse në këtë rast nuk kemi problem financimin, por koordinimin me pushtetin vendor për terrene të përshtatshme dhe që bëjnë sens në aspektin e rrjetëzimit me këtë infrastrukturë që të jetë e aksesueshme për të gjithë fëmijët, në fshat ose në qytet. Me FSHF kemi një potencial të madh zhvillimi”, shtoi kreu i qeverisë.

 

 

Këtë deklaratë, Rama e bëri në finalen e Konkursit Ndërkombëtar për Projektin Stadiumit “Skënderbeu”, për një Qendër e Re e Korçës, ku u prezantuan 3 finalistët.