Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit do të kushtojë 250 milionë lekë. Qeveria ka vendosur t’i japë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 2.5 milionë euro shtesë vetëm për projektin e regjistrimit të zgjedhësve në diasporë.

E ndërsa fondi është miratuar nga qeveria, KQZ ka përgatitur listën me 10 akte që janë të nevojshme për të rregulluar të gjithë procesin nga regjistrimi i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit deri tek numërimi votës së tyre.

Komisioni rregullator ka hartuar një listë me aktet e nevojshme ligjore, duke përllogaritur edhe afatet të cilat duhen respektuar për të garantuar që te shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Deri në 15 nëntor KQZ do të miratojë rregullat se si do të regjistrohen shqiptarët që jetojnë jashtë vendit e që dëshirojnë të votojnë në zgjedhjet parlamentare.

Do të hartohen rregulla të posaçme për procesin e votimit, për procesin e administrimit dhe numërimit të votave që vijnë nga jashtë vendit, të cilat KQZ ka përllogaritur të jenë gati para mesit të nëntorit.

Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit është risia më e madhe e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe njëherësh sfida më e madhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve./vizionplus.tv