Mjetet e koleksionit historik shqiptar Retro, një event i mirëpritur nga qytetarët, u ekspozuan në shëtitoren kryesore të Dibrës.

 

Të shoqëruara nën tingujt muzikor Jazz & Swing, mjetet historike ndaluan për herë të parë në Bulevardin “Elez Isufi” të qytetit Peshkopi.

 

Ky aktivitet u organizuar nga RETRO – Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në bashkëpunim me Bashkinë Dibër ku festës iu bashkuan të gjitha grupmoshat, nga fëmijët kureshtarë e te brezat më të vjetër, nën ritmet e muzikës Jazz & Swing ndërthurur me tradicionalen e këtij qyteti me vlera të larta folklorike, kulturore dhe historike.

 

Pjesë e këtij eventi ishte dhe zv. Kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Gautam Sen, Zv. Presidenti i Marrëdhënieve me Jashtë në FIVA – Fédération Internationale des Véhicules Anciens, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, kryetari i Bashkisë së Peshkopisë,  Rrahim Spahiu dhe Prefekti i Qarkut Dibër,  Nexhmedin Shehu.

 

Balluku u shpreh se Dibra po merr vëmendjen që meriton e po kthehet çdo ditë në një pikë tërheqëse për vizitorët.

 

Gjatë këtij aktiviteti nuk mungoi stenda e Targave Suvenir, ku mjeshtrat e palodhur gdhendin në kohë rekord targat e personalizuara./ATSH