Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi këtë të hënë ka deklaruar se coptimi i PD e dëmton opozitën ndaj sipas tij duhet të gjendet një zgjidhje që PD të përfaqësohet me një kandidat në zgjedhjet lokale.

 

Bardhi foli për “News 24” dhe theksoi se duhet të gjendet një zgjidhje që opozita të dali e bashkuar në zgjedhje.

 

Ai ka thënë se grupi që mbështet Alibeajn ka dalë me një propozim i cili është refuzuar, ndërsa shtoi se ai dhe kolegët e tij janë të hapur për një kundërpropozim.

 

“Copëtimi i PD e dëmton opozitën, ndaj e gjykoj që jemi akoma për të gjetur një zgjidhje që opozita të përfaqësohet me një kandidat të vetëm në zgjedhjet lokale Kam bërë përpjekje jo vetëm si i mandatuar, por dhe përpjekje personale për të zgjidhur këtë situatë. Uroj dhe shpresoj që të gjithë bashkë që nëse vazhdojmë të copëzojmë alternativën tonë opozitare, i fituar do jetë regjimi i Edi Ramës. Do vazhdoj të bëj përpjekje. nëse ka vullnet, dhe nëse interesi i demokratëve vihet i pari, jo vetëm për PD si parti, por dhe për simpatizantët, duhet të gjendet një zgjidhje që opozita të dalë e bashkuar në zgjedhja. PD do të duhet dhe do marrë pjesë në zgjedhje. Ky është parim që nuk do të heq dot kurrë dorë. Ne e kemi bërë një gabim të tillë, dhe pasojat kanë qenë afatgjata.

 

Ne kemi dalë me një propozim konkret që është refuzuar. Por s’dua të paragjykoj askënd dhe s’dua të bëj fajtor dhe as krahun tjetër. E vërteta që duan të dëgjojnë demokratët është se secili prej nesh, pavarësisht debateve, institucioni i partisë do të duhet të unifikohen për zgjedhjet. Unë dhe gjithë kolegët e mi jemi të hapur për të dëgjuar për një kundërpropozim. Por nuk është kundërpropozim që; ejani hajdeni te ne. Qëllim ynë është që të fitojmë sa më shumë bashki. Copëzimi i PD nuk e mundëson këtë objektiv. Ndaj caktojmë vijën e kuqe, që është mospjesëmarrja në zgjedhje. Nëse ne fillojmë e kacafytemi këtu dhe përballë kemi një betejë elektorale përballë Ramës, s’ka kuptim. Ndaj s’jemi bërë pjesë e debatit në Kuvend të Berishës. Ai vendim është marrë, çfarë mbledhje kryesie të bësh? E kemi marrë vendimin për përjashtimin e 4 kolegëve demokratë. Do ishte dëm i madh nëse nuk jemi me një kandidat të përbashkët. Copëzimi i alternativës opozitare në zgjedhje, nuk favorizon përpjekjet opozitare. Çështja “McGonigal” është e rëndë, që do të bënte bashkë jo vetëm demokratët, por edhe të gjithë qytetarët shqiptarë. Është një skandal i rëndë, i vërtetuar nga drejtësia amerikane. Nuk jemi në kuadrin e thashethemeve, por kemi një vendim e zeza mbi të bardhë”, tha Bardhi.