Është shtyrë gjyqi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu lidhur me çështjen “Gërdeci”. Shkak për shtyrjen janë bërë prokurat e reja të bëra vite më parë.

 

Ndërkohë, Gjykata nuk legjitimoi avokatin Dorian Matlija për të mbrojtur 109 familjarë të viktimave apo të dëmtuar nga vepra penale. Seanca e radhës do të mbahet me 18 Korrik në orën 14:00.

 

Kjo është hera e katërt që shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

 

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre dhe shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak. Ka dyshime se Mediu në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona të tjerë, ka nxjerrë akte nën ligjore në kundërshtim me ligjin.

 

Avokati i disa prej të dërmuarve, Dorjan Matlija tha për mediat se iu është kërkuar që të sjellin prokura të reja.

 

“Ky proces ka qenë i vonuar, dhe të paktën tani ka ecur. Dhe nuk dua që të bëhemi ne pengesë. Unë solla disa prokura, do të shohim, do t’i bëjmë gati për herën tjetër.”, tha Matlija.

 

Si ndodhi tragjedia e Gërdecit?

 

Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një “fabrikë” për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike, mes tyre dhe fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese.

 

Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjella mes palëve. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse.

 

Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Vetë Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, që në zgjedhjet e 25 prillit u zgjodh deputet si pjesë e listave të Partisë Demokratike, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirjen e tij në çështjen “Gërdeci”.