Motori i gjetur pasditen e 27 prillit në Lumin Drin pranë fshatit Kakarriq të Lezhës, po verifikohet dhe ekzaminohet imtësisht, pasi ka dyshime se nuk është i njëjti me atë të përdorur nga autori i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikuaj, mesditën e 19-prillit në Shëngjin.
Sipas Report.tv, hetuesit po kalojnë në sitë karakteristikat e mjetit të blerë në Tiranë i cili mendohet të jetë përdorur për të kryer krimin, me atë të gjetur në lum 300 metra larg shtëpisë së Edmond Haxhisë, i cili është vënë nën akuzë për vrasjen e biznesmenit, në rolin e organizatorit, porositësit dhe financuesit të atentatit.
Motori “Skuter” u gjet nga policia 8 ditë pas ngjarjes në brigjet e Lumit Drin dhe mendohet të jetë hedhur nga autori i dyshuar portugez pas atentatit ndaj biznesmenit Ardian Nikulaj.
Në lidhje me këtë ngjarje janë vënë nën akuzë 6 përsona një shqiptar në rolin e organizatorit, 1 portugez si autor i vrasjes dhe 4 shtetas Britanik si bashkëpunëtor në rolet e informatoreve mbi lëvizjet e biznesmenit Ardian Nikulaj. Katër prej tyre janë vënë në prangat e policisë në Britaninë e Madhe dhe kanë nisur procedurat për ekstradimin e tyre, ndërsa vijojnë të jenë ende në arrati autori portugez i dyshuar për vrasjen dhe 1 prej shtetasve Britanik që ka bashkëpunuar për të kryer krimin e rëndë.